KE nuk merr parasysh kërkesën e Holandës për pezullimin e vizave për shqiptarët

KE nuk merr parasysh kërkesën e Holandës për pezullimin e vizave për shqiptarët

Komisioni Evropian nuk e ka marrë parasysh kërkesën e Holandës për t’i pezulluar Shqipërisë të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën Shengen. Lajmi u raportua fillimisht nga Tirananews e më pas u konfirmua nga ambasadori Luigi Soreca.

Më 31 maj, Holanda i kërkoi Komisionit Evropian pezullimin e lëvizjes së lirë të shqiptarëve në zonën Shengen. Argumenti kryesor lidhej me kriminalitetin e lartë që kishte për autorësi shtetasit shqiptarë.

Robert de Groot përfaqësuesi i përhershëm i Holandës në Bashkimin Evropian ia paraqiti kërkesën Eurokomisionerit për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitri Avramopoulos. Por afati për shqyrtimin e kësaj kërkese është një muaj dhe gjatë kësaj periudhe nuk ka patur asnjë njoftim për zhvillime të mundshme rreth kësaj kërkese.

Sidoqoftë një burim i Tirananews.al tregoi se KE vendosi të mos e marrë parasysh kërkesën e holandezëve. Tirananews citoi një zëdhënës nga KE të ketë thënë kështu:

Pas një vlerësimi të kujdesshëm të përmbajtjes së njoftimit të marrë nga Holanda dhe bazuar në informacionin në dispozicion dhe të dhënat përkatëse, Komisioni konsideron se në situatën aktuale rrethanat për të nxitur mekanizmin e pezullimit të vizave nuk plotësohen. Komisioni do të vazhdojë të monitorojë nga afër përmbushjen e standardeve të liberalizimit të vizave për Shqipërinë, si dhe për vendet e tjera që përfitojnë nga udhëtimi pa viza.

Pas këtij raportimi, konfirmimi zyrtar erdhi nga Soreca, i cili shkroi në proflin e tij Twitter duke ripërsëritur pjesë nga citimi i qarkulluar në media:

Pas një vlerësimi të kujdesshëm të përmbajtjes së kërkesës së Holandës dhe bazuar në të dhënat përkatëse të informacionit në dispozicion, Komisioni i BE-së ka vendosur që në situatën aktuale nuk janë plotësuar rrethanat për të vënë në lëvizje mekanizmin e pezullimit të vizave. Komisioni sigurisht do të vazhdojë të monitorojë nga afër përmbushjen e standardeve për liberalizimin e vizave për Shqipërinë, si dhe për vendet e tjera që përfitojnë nga udhëtimi pa viza. Tani është koha që, pas këtij konfrimimi, Shqipëria të çojë më tej arritjet e saj të rëndësishme të vitin 2010 dhe për të ecur përpara me energji të përtërira, duke pasur parasysh vendimin e rëndësishëm të Këshillit të BE-së në tetor.

Nëse KE do ta miratonte kërkesën e Holandës, atëherë lëvizja e lirë për shqiptarët do të pezullohej për një afat 9 mujor, periudhë në të cilën KE do të kërkonte që Shqipëria të korrigjonte rrethanat e kontestuara nga pala pretenduese.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>