Javët e fundit, në gazetat dhe lajmet italiane është folur shumë për problemet e Bankës Veneto, një bankë e madhe në krizë, e cila është është e pranishme në Shqipëri me filialin e saj. Problemet e Bankës kanë ardhur nga administrimi i diskutueshëm i saj, që kanë çuar në probleme, të cilat kanë filluar të hetohen si nga prokuroria italiane, ashtu dhe autoritetet e mbikqyrjes financiare.
Grupi bankar Veneto ishte një ndër 10 grupet më të mëdha në Itali, por zhvillimet e fundit të ekipit menaxhues, përfshi blerjen e bankave të tjera në Itali, ashtu dhe jashtë saj, kanë krijuar një situatë financiare të vështirë, që ky ekip ua ka mbajtur të fshehur për vite me radhë mbi 80 mijë aksionerëve të bankës.
Edhe pasi Banka Qëndrore e Italisë e detyroi, në vitin 2015, Bankën Veneto të korrigjojë bilancet e saj dhe të rivleresojë kapitalin real të bankës me rreth 3,6 miliardë euro më pak (afërsisht sa një e treta e prodhimit vjetor të Shqipërisë), banka vazhdoi të regjistronte humbje. Aktualisht, kapitali i bankës është më i ulët se sa minimumi i parashikuar nga Banka Qendrore Europiane.
Së fundmi, banka u detyrua nga një ligj i qeverisë italiane të kuotohet në bursë dhe të fillojë rritjen e kapitalit të saj, përmes shitjes së aksioneve. Banka duhet të ngrejë të paktën një miliardë euro për të arritur një nivel optimal kapitalizimi.
Kjo gjë ka vënë në vështirësi mijëra aksionierë të vegjël, të cilët janë përballur me uljen e vlerës së aksioneve të tyre nga 40 euro në 7,3 euro. Për këtë arsye, shumë prej tyre i janë drejtuar prokurorisë me kallzime kundër ekipit menaxhues të bankës, i cili gjatë katër viteve të fundit ka mbajtur të lartë vlerën e aksioneve të bankës duke manipuluar bilancet dhe duke deklaruar të ardhura e fitime të paqëna.
Menaxhimi i ri i bankës po kërkon të hartojë një plan të besueshëm biznesi, duke riorganizuar bankën dhe larguar personazhet e lidhura me drejtimin e vjetër. Kjo ka ndodhur edhe në degën e bankës në Shqipëri, nga ku u hoqën menaxherët e mëparshëm italianë.
Ish drejtori i filialit shqiptar të bankës, Daniele Scavaortz, përpara se të emërohej në Shqipëri, ishte drejtor i zyrës së kredive në Itali, e cila kishte miratuar shumë kredi që rezultuan të këqija. Shumë prej huave të dhëna me aprovimin e tij nuk ishin të siguruara me kolateral apo u ishin dhënë personave me ndikim në bankë—pra, menaxherëve të vetë bankës. Shumë prej praktikave të tij tashmë janë në hetimin nga prokuroria.
Klientët shqiptarë që kanë depozita në Veneto Banka, gjithsesi, nuk janë të ekspozuar ndaj rreziqeve të veçanta, sepse, sipas ligjit shqiptar, filialet e bankave të huaja duhet të kenë kapital të tyre të rregulluar të depozituar në Shqipëri, duke qënë kështu të mbrojtur nga kontrollet e Bankës së Shqipërisë.
Megjithatë, duket e vështirë që Veneto Banka të mund vazhdojë të ofrojë huanë në tregun shqiptar me ritmet e ndjekura deri tani, për të cilat duhet kapital i ri nga banka mëmë ose nga depozitat e reja në Shqipëri, të cilat duken për momentin të pamundura të ndodhin.
Aktualisht, Veneto Banka ofron rreth tre përqind të totalit të huave të ofruara nga sistemi bankar shqiptar. Kjo do të thotë që efekti ekonomik i ngadalësimit të aktivitetit të saj do të jetë gati i papërfillshëm.