Pasi e lavdëruan krimin në shqip, artistët shqiptarë po e lavdërojnë atë edhe ndërkombëtarisht në gjuhë të huaja.
Në Gjermani e Zvicër të rinj të ndryshëm me origjinë shqiptare po e gëzojnë suksesin e tyre në tregun e muzikës me rrymën e realizmit kriminal.
Mozzik (Gramoz Aliu) e Azet (Granit Musa) janë ata që dallojnë më tepër për këtë pjesë.
Në shkrime të mëparshme për realizmin kriminal kemi trajtuar se si përmes kësaj rryme të muzikës, standardizohet modeli i kriminelit dhe ndryshohen perceptimet rreth krimit.
Në këtë shkrim do të flasim se si realizmi kriminal ia prezanton shqiptarët publikut të huaj.
Kjo rrymë po i jep famë bandave në Gjermani e Zvicër, po u shton atyre respektin në botën e krimit, po u rrit rekrutimet ndërsa nga ana tjetër po thekson paragjykimet ndaj shqiptarëve në këto vende.
Thuhet se nuk ka mundësi të dytë për përshtypje të parë dhe fatkeqësisht falë shtrirjes përtej kufirit të bandave shqiptare dhe lavdërimit nëpër këngë – tashmë edhe në gjuhë të huaja – përshtypja e parë për gjermanët e zviceranët është se këta janë shqiptarët: të dhunshëm, kriminelë dhe narkotrafikantë.
Flasim si fillim për Mozzik, që numëron më shumë se 20 hite dhe që po korr jashtmase sukses në tregun gjermanishtfolës falë edhe një kontrate me shtëpinë diskografike Sony/ATV Music.
Për tregun shqiptar, përveç bashkëpunimeve me artistë të ndryshëm, njihet edhe për këngë si Dhezu; Koke shum’; Cocaina; Tony Montana apo Kuk’s në të cilat përmend hapur përdorimin dhe trafikun e drogës.
Në Zvicër e Gjermani Mozzik njihet për bashkëpunimet me bashkëshorten Loredana Zefi – gjithashtu këngëtare dhe Veysel. Me hite si Bonnie & Clyde, Romeo & Juliet dhe Ti Amo ai gjeneroi mbi 300 milionë shikime duke kapur majat e tregut.
Në këngën Ti Amo, Mozzik flet gjysmë shqip-gjermanisht duke lavdëruar krimin. Ai thotë se në Evropë “bën xhiro” me “vllazni t’u shit kilo” dhe pasi lavdëron kodet morale të bandave që dënojnë “spiunët” i adresohet kancelares Merkel: Zonja Merkel, edhe unë jam auslander (jabanxhi), keine papier, aber viel, viel geld (pa letra, por me shumë para)!
Në një këngë tjetër Mozzik thotë “s’di bre, a po m’beson? Unë kom shit drogë për me ble iPhone” (Pinocchio) ndërsa te A milly me shqiptarin Dardan (Dardan Mushkolaj) aty ai flet edhe më ashpër për kodet e bandave: Nëse je shok i mirë, këtu rrin e zihesh, nëse je spiun, ti q#@esh.
Në videoklipe ka gjithmonë makina të shtrenjta. Te A milly ka helikopter, dy Lamborghini, Bentley, Rolls Royse, Mercedes Benz G-Class, 8 ora Rolex, peliçe dhe syze të shtrenjta Versace.
Mozzik thotë se: “Echte Albaner, mit fünf Kilograma (shqiptar i vërtetë, me 5 kilogramë), kokain’ nër çorap, t’u shkep si autogramma (autografë)”. Më pas tregon se si përmes korrupsionit krimi mundet t’i nxjerrë shokët nga burgu: Ej! Shok’t n’burg t’u ja çu funin zholit (Jo! Jo!), jeta tyne halà n’dor’ t’prokurorit. E thirri babën e pys qysh-tek o kursi, me i çu do lek n’Kosov e m’i nxjerr pi ati muti.
Mozzik vazhdon të njëjtën qasje me rrymën e realizmit kriminal edhe me këngët Glock, apo Stari i Mahallës, por ai që ka korrur më tepër sukses duke folur më së shumti gjermanisht në këngët e tij është Azet.
I rritur në Dresden të Gjermanisë, Azet formoi grupin KMN në të cilin bëjnë pjesë edhe artistë të tjerë dhe aktualisht grupi ka rreth 900 milionë shikime në kanalin YouTube.
Në 2015-ën ai pati probleme me ligjin, për shkak se u kap nga policia si përdorues i substancave narkotike.
Pas kësaj përvoje, albumi i tij Fast Life (Jetë e shpejtë) i kushtohet përjetimeve personale, por edhe së përgjithshmes kriminale që vazhdon më tej me këngë si Koka, Gjynah, Milleu, 9 Milly, Vallah, Patte fliesst, apo Nummer 1.
Në këto këngë përcillet mesazhi i pasurimit të shpejtë përmes trafikut të drogës dhe herë pas here fyen autoritetet policore. Te kënga Qa bone Azet flet për daljen e tij nga burgu, sigurisht me lavda. Retorika e Azet flet për një shembull që ia hedh paqtë autoriteteve dhe se asgjë e keqe nuk i ndodh botës së krimit.
Kjo gjë flitet më shumë te kënga Kriminell ku të qenit kriminel glorifikohet edhe më tepër.
Në videoklip ka, si gjithmonë, makina të shtrenjta dhe luks. Mercedez-Benz AMG, G-Class, shampanjë Moët & Chandon, kartmonedha, varëse e unaza floriri, puro dhe femra. Te Kriminell flitet për anët kriminale të shqiptarëve në Gjermani, ku që në fillim Azet thotë se shpërndahet “e bardhë” dhe ata që nuk paguajnë “i pret një thikë në qafë”.
Më tej ai përmend se përveç thikave, ata mbajnë dhe armë ndërsa bën thirrje që të mbesin “kriminal”.
Të njëjtat thirrje ndan edhe Noizy, i cili tregon se ka gjithmonë gati një Desert Eagle (tip pistolete).
Edhe në këngën Überlebt, apo S’kam koh’ Azet flet për krimin. Ai tregon për “mbijetesën” në kuptimin e “rrugës” ku nuk harron pa përmendur armët, narkotikët me kilogramë “që i shtyn me Telegram (aplikacion komunikimi)” dhe dëshirën për “biznes miliona-dollarësh”.
Mozzik e Azet janë dy të rinj tejet të suksesshëm në tregun e muzikës në Gjermani e Zvicër. Qasja e tyre drejt realizmit kriminal thekson te audienca gjermanisht-folëse paragjykimet ndaj shqiptarëve dhe jo vetëm.
Muzika e rrymës së realizmit kriminal i jep edhe më shumë famë grupeve kriminale, të cilat falë lavdave në këngë reklamojnë suksesin e tyre duke ndjellë më tepër respekt, më tepër frikë dhe arsye për t’iu bashkuar atyre.