Edi Rama vazhdon të shmangë zgjedhjet për kryetar të PS-së. Sot, Asambleja e Partisë Socialiste shpalli zgjedhjet e brendëshme për të gjitha postet drejtuese, me përjashtim të atij të kryetarit.
Edi Rama ka mbi 14 vjet në krye të Partisë Socialiste, 10 vitet e fundit i pavotuar. Hera e fundit që ai iu është nënshtruar një votimi është në vitin 2009.
Nga viti 2009 deri në vitin 2016 ai nuk organizoi fare zgjedhje të brendëshme në parti në shkelje të statutit të Partisë.
Në vitin 2016, deputeti i atëhershëm Ben Blushi, shpalli kandidaturën për kryetar partie, dhe kërkoi zhvillimin e zgjedhjeve statutore për kryetar. Në vend që të organizonte zgjedhjet, Edi Rama vendosi një standard tjetër: kryetari i partisë vazhdon të shërbejë në krye të partisë pa patur nevojë për t’u zgjedhur, për aq kohë sa ai është kryeministër.
Këtë standard Edi Rama e imponoi përmes një referendum në të cilin anëtarët e partisë u pyetën të vendosnin mbi pyetjen:
“Kur Partia Socialiste është në qeveri dhe Kryetari i saj është i zgjedhur kryeministër, a konsiderohet i rinovuar automatikisht mandate i kryetarit?”
95 për qind e anëtarëve të PS-së votuan pro, duke fshirë kështu çdo lloj gare për kreun e partisë, kur ajo është në pushtet.
Referendumi u mbajt me shpejtësi dhe pati plot parregullsi — ish-deputetët Ben Blushi e Mimoza Hafizi e akuzuan Kryeministrin Rama për manipulim të votimeve të referendumit dhe kërkuan hapjen e kutive të votimit—por asgjë nuk ndryshoi rezultatin e tij.
Që atëhere posti i Edi Ramës në Partinë Socialiste është i padiskutueshëm qoftë edhe sa për fasadë.
Në fakt Edi Rama është kryetari që qendron më gjatë pa u zgjedhur në krye të një partie në gjithë historinë e Shqipërisë. Në mënyrë ironike, edhe gjatë diktaturës komuniste Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Punës i nënshtrohej votimit një herë në katër vjet—një votim që ishte formalitet automatik.
Por problemet me demokracinë në krye të PS-së për Edi Ramën janë më të hershme. Në vitin 2005 ai erdhi në krye të PS-së me një manovër jo demokratike dhe nën akuzat për korrupsion.
Pas dorëheqjes së Fatos Nanos, për kryesimin e PS-së kandiduan Rexhep Mejdani dhe Edi Rama. Procedura e votimit e caktuar për zgjedhjen e kryetarit ishte që secili nga kandidatët do të paraqiste alternativën e tij programore për partinë dhe kryetar do të bëhej ai që programi i të cilit do fitonte. Kongresi i PS-së e rrëzoi programin e Edi Ramës më 8 tetor 2005.
Por në një aleancë me Gramoz Ruçin, ky i fundit i deklaroi kongresit se progami në fakt kishte qenë i tij dhe jo i Edi Ramës dhe votimi duhej të përsëritej të nesërmen më 9 tetor. Mbas një “pune” kokë më kokë më delegatët e kongresit socialist, të nesërmen Edi Rama fitoi shumicën e votave të kongresit.
Zgjedhja e tij u kritikua nga eksponentë socialistë si e siguruar përmes blerjes së delegatëve të Kongresit me paratë e klientëve ndërtues të Edi Ramës. Kryetari i LSI-së Ilir Meta e quajti zgjedhjen e Ramës në krye të PS-së si zgjedhje me modelin “një pallat, një votë”.
Në vitin 2009, pas humbjes në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, Edi Rama u ndesh me thirrjet e tij për dorëheqje sikurse ishte caktuar në statutin e partisë—kryetari që humbte zgjedhjet duhej të largohej nga drejtimi i partisë. Por edhe këtë herë Edi Rama ndërmori një tjetër manovër për të qenduar në pushtet.
Duke përfituar nga formulimi jo i qartë, ai e intepretoi detyrimin statutor jo si dorëheqje të parevokueshme por thjesht si dorëheqje me të drejtë rikandidimi.
Kështu veproi—dha dorëheqjen dhe shpalli menjëherë kandidatuën për t’u rizgjedhur në krye të partisë. Por duke patur frikë se kundërshtarët e tij në krye të partisë ishin të shumtë, Edi Rama shkeli sërish statusin duke shpallur zgjedhjen e kryetarit me një anëtar një votë dhe jo nga Kongresi i partisë sikurse e kishte statuti.
Në 27 shtator 2009 ai fitoi zgjedhjet me 90 për qind të votave të anëtarëve të partisë. Që atëhere ai mbetet i pasfiduar qoftë edhe formalisht në krye të Partisë Socialiste.