Në Shkodër është hapur për qytetarët Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës, ish-dega e Ministrisë së Brendshme të qytetit ku janë mbajtur të burgosur dhe janë torturuar gjatë hetuesisë të burgosurit politikë.
Nga 23 burgje të periudhës komuniste në qytetin e Shkodrës, ku dhe armiqtë e regjimit ishin të shumtë, ka mbijetuar vetëm godona e degës lokale të Ministrisë së Brendshme e cila tashmë është kthyer në Muzeun e Dëshmisë dhe Kujtesës.
Para se t’u dorëzohej shërbimeve të sigurisë, kjo godinë kishte qenë gjimanazi françeskan “Illyricum”, por nga viti 1946 u bë vendi i torturave për shumë priftërinj françeskanë e të tjerë të pafajshëm që regjimi komunist i cilësonte armiq të tij. Disa prej tyre dhanë shpirt prej torturave, të tjerë u dënuan me pushkatim dhe të tjerë, pas gjyqeve, u shpërndanë në burgje të tjera në të gjithë Shqipërinë e mbushur me vende dënimesh.
“Fillimisht, të burgosurit qëndronin këtu për periudhën e marrjes në pyetje, periudhë gjatë së cilës i nënshtroheshin torturës fizike dhe psikologjike. Pasi dënoheshin, ata dërgoheshin në burgje të tjera në të gjithë vendin,” shpjegon për Birn Pjerin Mirdita, historian dhe kurator i Vendit të Dëshmisë dhe Kujtesës.
Muzeu është i ndarë në dy pjesë, të cilat i ndan një korridor. Ai është i lyer me të kuqe për të simbolizuar vuajtjet, shpesh të përgjakshme të atyre që dërgoheshin në dhomën e marrjes në pyetje, përmes tij.
Në korridorin e hyrjes është një ekspozitë fotografike për viktimat dhe një dhomë të vogël ku shfaqen video. Zona e dytë ka një tjetër dhomë ekspozite dhe qelitë e të burgosurve bashkë me dhomën e marrjes në pyetje.
Në të dy anët e korridorit, përballë njëra-tjetrës ndodhen 23 qeli. Në këto qeli të vogla, secila më pak se katër metra katrorë dhe që në atë kohë quheshin biruca, të burgosurit mbaheshin para dhe gjatë procesit të marrjes në pyetje.
Disa nga shkrimet e tyre nëpër mure janë ruajtur, së bashku me gazetat bashkëkohore propagandistike komuniste, të cilat mbulojnë muret e qelive.
Në fund të korridorit, ndodhet dhoma e madhe rrëqethëse e marrjes në pyetje. Një shufër e elektrizuar dhe disa tela me gjemba ndodhen në një cep të dhomës, ndërsa oficeri që i merrte në pyetje së bashku me një makinë shkrimi ulej në anën tjetër të dhomës. Pajisjet e tensionit të lartë që dikur përdoreshin për të torturuar të burgosurit si fizikisht ashtu edhe mendërisht ndodhen në një tjetër tavolinë në dhomë.
“Riedukimi” i të burgosurve në Shkodër do të vazhdonte më pas në kampet e punës, në të cilat u dërguan shumë prej tyre. Shumë nuk u kthyen më kurrë.
Anëtarët e publikut dhe turistët që vizitojnë muzeun mund të shohin filma të shkurtër në dhomën audio-vizuale. Në bibliotekë, ata gjithashtu mund të lexojnë libra për regjimin komunist në Shqipëri, si dhe letërsi të shkruar në dhe për burgun. Ajo është e hapur për publikun. Muzeun kanë nisur ta vizitojnë grupe nxënësish të shoqëruar nga mësuesit e tyre, si pjesë e edukimit për të kaluarën, e cila i ka munguar sistemit të deritanishëm arsimor duke krijuar një boshllëk të pajustifikueshëm njohjeje për këtë pjesë të historisë.
Publikuar më parë tek Kujto.al.