Qytetarët që po protesojnë në Shkodër kundër betimit të këshillit të ri bashkiak, janë përplasur me forcat e shumta të policisë.
Protestuesit tentuan të çajnë kordonin e policisë dhe të hyjnë brenda mjediseve ku këshilli i ri bashkiak po zhvillon mbledhjen e parë, por u ndaluan nga policia.
Me pankarta e thirrje “Rama ik”, protestuesit shprehen se betimi i këshillit bashkiak dhe tentativa për të shkarkuar kryebashkiaken Voltana Ademi po bëhet në shkelje të ligjit.
Disa prej të rinjve që po protestojnë rrethuan Bibliotekën e Universitetit, ku po zhvillohet mbledhja e Këshillit Bashkiak, me një shirit të verdhë, nga ata që përdor policia në skenat e krimit.
Sipas tyre, shkarkimi i kryebashkiakes Ademi dhe marrja e drejtimit të bashkisë nga PS, në kushtet kur kandidati i saj Valdrin Pjetri u dorëhoq, është shkelje e ligjeve.
Fillimisht protesta e opozitës ka nisur e qetë, por më pas situata është tensionuar dhe protestuesit janë përplasur fizikisht me Policinë e Shtetit.
Ndërkohë brenda universitetit vazhdon konstituimi i këshillit bashkiak. Siç Exit.al ka shpjeguar më parë, Ligji për Vetëqeverisjen Vendore përcakton qartë se Këshilli i ri bashkiak që po konstituohet në këto momente nuk mund të vendosë për përfundimin e mandatit të kryebashkiakes Ademi.