Serbia lobon për heqjen e taksës, Kosova dhe Shqipëria pa plan

Serbia lobon për heqjen e taksës, Kosova dhe Shqipëria pa plan

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç i ka kërkuar Sekretarit Amerikan të Shtetit Mike Pompeo që SHBA-të të ndikojnë te qeveria kosovare për të hequr taksën ndaj mallrave serbe, që më pas të rinisë dialogu mes dy vendeve.

Presidenti serb e takoi dje Sekretarin Pompeo në New York. Pas takimit, Vuçiç shkroi në Twitter se ‘është i lumtur që ka tërhequr vëmendjen e Pompeos [për çështjen Kosovë-Serbi], dhe se beson se Amerika do të jetë edhe më e përfshirë në zgjidhjen e konflikteve në rajonin [e Ballkanit Perëndimor].’

Ndërsa Sekretari Pompeo, në një postim në Twitter për takimin, theksoi se “normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë do të forcojë stabilitetin dhe prosperitetin për Serbinë, Ballkanin Perëndimor dhe komunitetin transatlantik.”

Pak ditë më parë, dhe ambasadat amerikane, gjermane, franceze, italiane dhe britanike në Prishtinë dhe Beograd i kanë kërkuar Kosovës të heqë taksën ndaj mallrave serbe dhe të rinisë sa më shpejtë dialogun për zgjidhjen e konfliktit me Serbinë, me ndërmjetësimin e BE-së.

Më herët dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Federica Mogherini i ka kërkuar qeverisë kosovare të heqë taksën ndaj Serbisë, si e vetmja mënyrë për të rinisur dialogun mes dy vendeve.

Pothuaj të gjithë përfaqësuesit e huaj i kërkojnë Kosovës të heqë taksën ndaj mallrave serbe, pa mbajtur qëndrim për arsyen se përse qeveria e Kosovës e vendosi taksën.

Më 20 nëntor 2018, Kosova nuk mundi të anëtarësohej në INTERPOL, si pasojë e fushatës së Serbisë kundër anëtarësimit të saj.

Më 21 nëntor 2018, qeveria e Kosovës miratoi rritjen e taksës me 100 për qind për mallrat dhe produktet e importuara nga Serbia  dhe Bosnjë-Hercegovina.

Pra duket se presidenti serb Vuçiç prej kohësh ka qenë dhe vazhdon të jetë i angazhuar në një fushatë takimesh me faktorët ndërkombëtarë, me qëllim heqjen e taksës kosovare mbi mallrat serbe.

Por nga ana tjetër, qeveria kosovare dhe ajo shqiptare duket se jo vetëm nuk kanë bashkëpunuar për të mbrojtur interesat e Kosovës në arenën ndërkombëtare, por duket se janë me axhenda të ndara nga njëra-tjetra.

Në maj 2019, Ramush Haradinaj akuzoi kryeministrin Rama se gjatë samitit të Berlinit ai dhe Thaçi i kanë bërë presion për të hequr taksën.

Po ashtu, Haradinaj ka shfaqur hapur dhe dyshimet se Presidenti i Kosovës Thaçi, Presidenti serb Vuçiç, Kryeministri i Shqipërisë Rama dhe Përfaqësuesja e BE-së Mogherini mund të kenë diskutuar më parë për shkëmbimin e territoreve, si zgjidhje e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë.

Këto akuza Haradinaj i bëri publike pas disa pohimeve të mëparshme të të tjerë ish-zyrtarëve të lartë. Siç Exit.al ka sqaruar në këtë artikullEdita Tahiri, ish-kryenegociatorja e Kosovës; Vuk Jeremiç ish-Ministri serb; Sonja Birseko, Kryetarja e Komitetit të Helsinkit në Serbi dhe ish-Kryeministri i Suedisë Carl Bildt kanë pohuar se Rama, Vuçiç dhe Thaçi ishin nismëtarët e idesë së shkëmbimit të territoreve dhe po lobonin fort për të.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>