“Që tani ka goditje në buxhetin e vitit 2016,” deklaroi dje, në Komisionin e Ekonomisë të Kuvendit, Ministri i Financave Shkëlqim Cani.
Ministri Cani ka përdorur një frazeologji të çuditshme, për të mos thënë, me një shqipe të thjeshtë dhe direkte se që tani është e sigurtë që të ardhurat e planifikuara në buxhetin e vitit 2016 nuk do të realizohen.
Arsyeja që dha Ministri Cani është se çmimi i naftës në tregun botëror ka rënë përtej nivelit që e kishte parashikuar qeveia.
“Të gjithë kemi marrë për bazë çmimin e naftës që nuk do të kishte me ulje nafte. Dhe kjo ishte pika fundore e çmimit të naftës dhe me të miratuar buxhetin e vitit 2016 fillon rënia e çmimit të naftës, nga 25 lek që ne llogarisnim të mernim në buxhet do te marrim 20 lek,” – ka deklaruar Minsitri para deputetëve.
Kjo deklaratë e Ministrit Cani vjen vetëm pak javë pasi është miratuar buxheti i vitit 2016. Në këto kushte, ngrihen pikëpyetje serioze mbi aftësinë e Ministrisë së Financave për parashikimin dhe planifikimin e të ardhurave publike, e cila është detyra parësore e saj.
Vetë Ministri Çani e ka pranuar indirekt këtë paftësi, kur, duke dashur të justifikohet apo heqë përgjëgjësinë për këtë dështim, ka deklaruar: “Na mirëkuptoni që ne jemi nën efekt, se ne nuk kemi as në Ministrinë e Financës e as institucione të tjera mirëfilltasi studiues, që merren me çmimet ndërkombëtare dhe ekonominë botërore në aspektin e gjerë, institute të mëdha.”
Deklaratat e djeshme të Ministrit, në fakt, dëshmojnë faktin e çuditshëm se parashikimi i të ardhurave të qeverisë është bërë duke marrë për bazë cmimin e naftës në momentin e hartimit të buxhetit, pa lejuar hapësirë për ndryshime negative të këtij çmimi, që është proçedurë normale.
Akciza dhe taksa mbi vlerën e shtuar që merren nga nafta e importuar janë një burim i rëndësishëm i të ardhurave në buxhetin e shtetit. Për këtë arsye, sikurse e pranoi Ministri para deputetëve, ulja e të ardhurave nga nafta do të ketë kosto për ekonominë e vendit, veçanërisht në shpenzimet qeveritare dhe politikat e saj të investimeve.