Programi i denoncimit të korrupsionit në universitete shkel të drejtat e njeriut

Programi i denoncimit të korrupsionit në universitete shkel të drejtat e njeriut

Pas skandalit të publikuar në media ku një profesor i kërkonte një studenteje favore seksuale, Kryeministri Rama ka gjetur si zgjidhje ngritjen e një platforme denoncimi.

Mirëpo Kryeministri ka hedhur idenë e shpërblimit me bursë një-vjeçare të atyre që denoncojnë. Në një postim në Twitter ai u shpreh:

“Koha për një përshkallëzim të ri kundër korrupsionit! Po punojmë për një program nxitjeje kundër heshtjes dhe denoncimit me provë abuzuesit. Një ide në diskutim është: Çdo student denoncues që sjell provë për presion korruptiv nga kushdoqoftë, zeron tarifën e merr bursë njëvjeçare!”

Programi i propozuar nga Kryeministri Rama shkel të drejtat e njeriut, anashkalon gjykatat dhe vë nën presion administratën universitare.

Keqpërdorimi i denoncimeve për të larguar njerëz nga puna mund të cënojë integritetin, të drejtat e punës, autonominë e universiteteve, por sidomos parimin e një procesi të rregullt ligjor të parashikuar nga Kushtetuta dhe Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut (KEDNJ).

Konkretisht, neni 42 i Kushtetutës përcakton:

“Liria, prona dhe të drejtat e njohura me Kushtetutë dhe me ligj nuk mund të cenohen pa një proces të rregullt ligjor.”

Nga ana tjetër neni 6 i KEDNJ parashikon se:

“Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet me të drejtë, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij.”

Për proces të rregullt ligjor Gjykata Kushtetuese (vendimi nr.8 2003) thotë:

“E drejta për një proces të rregullt ligjor… lidhet me garancitë që u ofrohen palëve gjatë një gjykimi, në drejtim të respektimit të atyre parimeve esenciale që përbëjnë thelbin e procesit. Standarte të tilla kushtetuese si e drejta për t’iu drejtuar gjykatës, e drejta e mbrojtjes, paanësia në gjykim, gjykimi publik, prezumimi i pafajësisë etj.”

Përtej këtyre argumentave, shpërblimi me bursë i studentëve që denoncojnë dëmton meritokracinë, pasi bursat nuk falen, por fitohen, kryesisht me rezultate të larta në mësime (ose me ligj).

Dëmtimi i sistemit të meritokracisë promovon kulturë të gabuar: shërbime dhe jo merite, në këmbim të lehtësimvee apo privilegjeve. Kështu studentët do të edukohen të raportojnë, qoftë edhe fakte të shtrembëruara apo të pavërteta, vetëm që të përfitojnë më lehtë një bursë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>