Shqipëria ka mbi 300 diga të larta të regjistruara në regjistrin botëror të digave te larta. Jemi vendi i parë në votë për numrin e digave të larta për banor. Një rekord botëror është edhe diga e Bovillës, e cila është ende diga më e lartë në botë me gjeomembranë.
Për shkak të qasjes së ekonomisë së centralizuar, rezervuarët shqiptarë shërbejnë kryesisht për prodhim energjie dhe për ujitje.
Për qëllimet e bujqësisë, gjatë periudhës së komunizmit u ndërtuan mbi 630 rezervuarë, me nje kapacitet prej 5,6 miliardë metra kub ujë.
Duke përjashtuar digat mbi Lumin Mat, të gjitha të tjerat në Shqipëri janë diga me materiale vendi (dhé, gurë, argjilë). Këto diga janë shumë të qëndrueshme dhe më ekonomike në ndërtim. Sidoqoftë, digat kërkojnë inspektime dhe mirëmbatje të vazhdueshme.
Mungesa e financimit gjatë dekadave të fundit ka sjellë një sërë problemesh për digat, veçanërisht atyre të bujqësisë, përfshi mosmirëmbajtjen e duhur, mosrehabilitimin në kohë të defekteve, braktisjen e digave që kanë humbur funksionin, pajisjen me shkarkues sipërfaqësorë e të tjera.
Pavarësisht se me financim të Bankës Botërore është investuar në disa projekte për rehabilitimin dhe sigurinë e digave, përmirësimi i gjendjes së tyre ka qenë i pjesshëm, pasi duhet që ato të inspektohen, monitorohen dhe mirëmbahen në mënyrë të vazhdueshme, përndryshe edhe një digë e rehabilituar mund të kthehet në burim rreziku.
Ruajtja dhe shfrytëzimi i pasurisë sonë të madhe ujore vjen me përgjegjësi dhe kosto të mëdha. Reforma territoriale, së bashku me një sërë përgjegjesish të tjera, ia kaloi pushtetit vendor përgjegjësinë për ujitjen, kullimin dhe menaxhimin e rezervuarëve.
Për rrjedhojë, digat e pamirëmbajtura, me dosje teknike të paplota, i kaluan zyrave të pushtetit vendor, i cili përmes shumë përgjegjësive të shtuara, mori detyrën të kujdesej edhe për një pasuri për të cilën nuk kishte as përvojë, as stafin e duhur teknik dhe as mjetet e duhura për t’u kujdesur.
Sot, 5 vite pas fillimit të zbatimit të reformës territoriale, të ndeshura me probleme të tjera të mëdha, duket se bashkitë e reja nuk e kanë prioritet sigurinë e digave. Mjafton të shikosh erozionin në digën e Liqenit të Tiranës, i cili është provuar se mund të përmbytë një pjesë të madhe të qytetit të Tiranes dhe të sjellë dëme të mëdha materiale dhe njerëzore.
Komiteti Kombëtar i Digave të Mëdha, është i vetmi institucion që ka ngritur vazhdimisht çështjen e sigurisë së digave, por deri tani thirrjet e tij kanë rënë në vesh të shurdhët.
Në kushtet e mangësive institucionale, teknike dhe financiare për mirëmbajtjen dhe garantimin e sigurisë së digave, Shqipëria u ndesh ditët e fundit me tërmete në zonën e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit. Tërmetet paraqisin një sërë rreziqesh të shtuara, duke qenë se ato mund të shkaktojnë një sërë dëmtimesh të digave, disa nga të cilat po i rendis më poshtë:
Lëkundjet e tokës shkaktojnë lëvizje dhe deformime strukturore në trupin e digës, si dhe në veprat dhe pajisjet e kontrollit të digës.
Lëkundjet mund të deformojnë bazamentin apo shpatullat e digës, çfarë me kalimin e ditëve mund të sjellë deformimin e vetë digës.
Cedimet (uljet) në trupin e digës mund të sjellin humbjen e frankos (distancës midis nivelit maksimal të ujit dhe kurorës së digës).
Shkarjet masive të dherave nga shpatet mund të shkaktojnë valë të larta uji, të cilat në rast se mbikalojnë trupin e një dige me material vendi (dheu e zhavorri) mund të çojnë në shkatërrimin e saj.
Tërmetet mund të shkaktojnë dëmtime në veprat e digës—në kullat, shkarkuesit, muret mbajtëse, saraçineskat, portat e kontrollit, impiantet elektromekanike, etj.—të cilat edhe nëse nuk krijojnë rrezik të menjëhershëm, sjellin rreziqe me kalimin e kohës.
Dëmtimet e mësipërme mund të krijojnë kushtet për shkatërrimin e papritur të digës, duke bërë që uji i rezervuarit të përmbysë tokat, banesat, bizneset dhe infrastrukturën poshtë rezervuarit. Masa e dëmit që mund të shkaktojnë këto përmbytje varet nga disa faktorë, por kryesori është sasia e ujit në rezervuar dhe topografia e zonës poshtë digës.
Me ardhjen e vjeshtës do të shtohen rreshjet, çfarë mund ta bëjë më kritike gjendjen pas tërmeteve të ditëve të fundit.
Për të shmangur çdo rrezik të mundshëm duhet që të ndërmerren menjëherë një sërë veprimesh, përfshi këto më poshtë:
Duhet të kryhet një inspektim fizik i të gjitha digave me rezervuar dhe veprave të tyre, publike apo private qofshin, dhe në rastet kur vërehen deformime apo dëmtime duhet të angazhohen menjëherë ekspertët përkatës për vlerësimin, projektimin dhe riparimin e tyre.
Rezervuarët e ujitjes duhet të mbahen në nivel minimal deri në periudhën shkurt–mars, në mënyrë që të ketë kohë të kryhen inspektime të detajuara apo punimet përkatëse.
Banorët e zonave pranë digave me rezervuar, nëse vërejnë se digat kanë deformime të reja apo nivel të lartë uji, duhet të lajmërojnë menjëherë autoritetet vendore, në mënyrë që të marrin masat përkatëse.
Duhet të vlerësohet aftësia përcjellëse e kanaleve të ujrave të larta dhe atyre kullues poshtë digave, në mënyrë që shkarkimi për të ulur nivelin e ujit në rezervuar, së bashku me shirat e stinës, të mos krijojnë përmbytje të tokave apo bizneseve.
Frika dhe shqetësimet që sollën tërmetet e ditëve të fundit duhet të shërbejnë për të reflektuar për kujdesin që duhet të tregojnë të gjithë – qytetarët, sipërmarrësit dhe qeveria – për të shmangur apo kufizuar pasojat e mundshme në rastin e fatkeqësive natyrore.
Shqipëria është vend me aktivitet të lartë sizmik dhe me rreshje relativisht të larta. Rreziku prej tyre është më i madh sesa mendojmë zakonisht.