19,7 miliardë lekë është mosrealizimi i të ardhurave në buxhetin e shtetit për vitin 2015. Gjatë gjithë vitit u mblodhën rreth 378,4 miliardë lekë ose afërsisht 5 për qind më pak se plani buxhetor i rishikuar me ulje në korrik, pas mosrealizmit të të ardhurave gjatë gjysmës së parë të vitit.
Duke marrë në konsideratë se rritja ekonomike për 9 mujorin ishte 2,8 për qind dhe inflacioni në dhjetor ishtë 2 për qind, rritja reale e të ardhurave për vitin 2015 është negative, me minus 1,6 për qind.
Rreth 66 për qind e kësaj mungese në arkën shtetërore e zënë të ardhurat tatimore dhe doganore.
5,9 miliardë lekë mungojnë nga mbledhja e akcizës, që është dhe zëri më pak i realizur në planin e vitit 2015. Në total, në vitin 2015 u mblodhën 44,9 miliardë lekë. Krahasuar me vitin 2014, mbledhja e akcizës ra me 4,6 për qind.
5,6 miliardë lekë më pak nga sa ishte parashikuar u mblodhën nga TVSH-ja, zëri kryesor në buxhet. Në total u mblodhën rreth 125,5 miliardë lekë, me një rritje të ulët prej 1,5 për qind, krahasuar me vitin 2014.
Mbledhja e tatimit mbi të ardhurat personale ka një mosrealizim prej 2,5 miliardë lekësh. Gjatë vitit u mblodhën në total 29,3 miliardë lekë, ose 1,4 për qind më shumë se në vitin 2014.
Tatimi mbi fitimin është zëri më i realizuar sipas planit të rishikuar, me 1,4 miliardë lekë më shumë. Gjithsej u mblodhën 23,5 miliardë lekë, 16,2 për qind më shumë se vitin e kaluar.
Të ardhurat jo tatimore, pavarsisht rritjes vjetore krahasuar me vitin e kaluar, kanë një mosrealizim prej 5,1 miliardë lekë. Në total u mblodhën 25,4 miliardë lekë.