Kancelarja gjermane Merkel dhe Presidenti francez Macron do të takohen sot për të diskutuar mbi çështjet kryesore të mbledhjes së Këshillit Europian, më 17-18 tetor. Mes pikave çështjeve kyçe është hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Takimi do të zhvillohet në jug të Francës.
Dy udhëheqësit do të diskutojnë arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare për daljen e Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja, qasjen ndaj ndërhyrjes së Turqisë në Siri dhe projektet e përbashkëta europiane.
Një ditë më parë, në mbledhjen e ministrave të jashtëm të vendeve të BE-së, Franca kundërshtoi hapjen e negociatave për të dy vendet, pasi kërkon më parë reformimin e politikës së zgjerimit dhe forcimin e Bashkimit së brendëshmi.
Franca, gjithashtu, mendon se përparimi i dy vendeve nuk është i mjaftueshëm dhe hapja e negociatave me to është e parakohshme.
Mbetet për t’u parë nëse Kancelarja Merkel, e cila mbështet hapjen e negociatave, do të bindë Presidentin Makron të ndryshojë qendrim.
Në një konferencë për shtyp pas mbledhjes së djeshme të ministrave të Jashtëm, Komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn pohoi se “nuk kam shenja të dukshme se Macron do të ndryshojë mendje”.
Vendimi përfundimtar nëse BE do të hapë apo jo negociatat do të merret nga Këshilli Europian më 18 tetor.