“Anëtarësimin në BE, Shqipëria do ta sigurojë duke dyfishuar përpjekjet për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit”, kështu u shpreh sot e ngarkuara me punë e SHBA-ve në Tiranë Leyla Moses-Ones.
E pranishme në konferencën “Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Ballkanin Perëndimor”, Zonja Moses-Ones tha se Shqipëria:
- ka Bashkimin Evropian projekt të vetëm
- ka reformën zgjedhore projekt kombëtar
- ka refuzuar makinacionet ruse
- i ka bërë të qartë pozicionin Kinës
- nuk do të tolerojë terroristët Iranian në tokën e saj
- do të përfshihet në luftën kundër terrorizmit
Diplomatja amerikane për reformën zgjedhore tha se në përgjithësi “qeveria, opozita parlamentare dhe partitë jashtë saj po e ndjekin” ndërkohë që u përqendrua te shqetësimi që kanë pasur SHBA-të për investimet dhe marrëdhëniet në rritje të vendeve të Ballkanit me Kinën apo Rusinë:
“Për Rusinë e Kinën Ballkani është mjet që të shfrytëzohet dhe të flaket tej, ata duan të minojnë modelin perëndimor. Nuk ka asgjë idealiste në qëllimet e tyre. Me oligarkitë e korruptuara që janë të divorcuara nga interesi i njerëzve, të cilëve supozohet t’ju shërbejë qeveria.”
E ngarkuara me punë e SHBA-ve në Tiranë, tha se “Shqipëria ia ka bërë të qartë Kinës se disa gjëra nuk janë në shitje, ka refuzuar makinacionet ruse dhe ka treguar se nuk do të tolerojë terroristë iranianë në tokën e saj”.
SHBA-të mirëpresin prioritetet e përcaktuara nga Shqipëria për t’u përfshirë në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.