Lobimi në SHBA – Prokuroria akuzon Bashën për falsifikim formularësh, bie akuza për pastrim parash

Lobimi në SHBA – Prokuroria akuzon Bashën për falsifikim formularësh, bie akuza për pastrim parash

Prokuroria e Tiranës ka rrëzuar akuzën për pastrimin e parave ndaj kryetarit të PD-së Lulzim Basha dhe ka lënë vetëm për akuzën ‘falsifikim të formularëve’, në lidhje me lobimin e kësaj partie në SHBA në zgjedhjet e vitit 2017.

Bashkë me Bashën, prokuroria akuzon për të njëjtën gjë dhe ish-Sekretarin e Përgjithshëm Arben Ristani dhe ekonomistin e PD-së Ilir Dervishi.

Ndonëse në disa media u përfol se dosja është dorëzuar nga prokurorët në gjykatë, drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës Elisabeta Imeraj deklaroi për BIRN se ‘dosja nuk është dërguar ende në gjykatë.

Në qershor 2019, prokuroria ngriti akuzat ‘falsifikim të formularëve’ dhe ‘kryerjen e veprimeve financiare ose transaksioneve të copëzuara për shmangien nga raportimi’ ndaj Lulzim Bashës, Arben Ristanit dhe ekonomistit të PD-së Ilir Dervishi.

Por sot, prokurorët e çështjes kanë vendosur të rrëzojnë akuzën për mosdeklarim të të ardhurave dhe kanë dërguar për gjykim vetëm për  falsifikimin e formularëve.

Kjo vepër penale parashikohet në nenin 190 të Kodit Penal.

Hetimet janë kryer nga prokurorët Gjergj Tako, Ervin Karanxha dhe Kol Hysenaj.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi se vetëm dy nga tre prokurorëve të dosjes e kanë firmosur dosjen për në gjykatë, ndërsa prokurori Hysenaj nuk e ka firmosur.

Nuk dihet nëse prokurori Hysenaj donte akuza më të rënda apo nuk donte që dosja të shkojë në gjyq.

Çfarë dihet për lobimin e PD në SHBA?

Partia Demokratike loboi në SHBA në gjysmën e parë të vitit 2017, kur ajo kishte braktisur Kuvendin dhe kishte ngritur çadrën para Kryeministrisë.

Për këtë gjë, ajo vendosi të lobojë në SHBA dhe nënshkroi një kontratë me kompaninë e lobistit amerikan Nick Muzin, të cilit i pagoi $25 mijë për shërbimin. Kontrata dhe pagesa u deklaruan që në fillim në Departamentin e Drejtësisë të SHBA-ve, sikurse kërkon ligji për regjistrimin e lobistëve për qeveri apo institucione të huaja (FARA). Kjo kontratë është e vetmja kontratë lobimi e firmosur nga PD dhe bashkë me pagesën ajo është deklaruar në KQZ nga Partia Demokratike.

Disa muaj pas deklarimit të kontratës së mësipërme në FARA, Nick Muzin deklaroi po aty edhe dy pagesa të tjera, që ai deklaroi se ishin bërë në favor të Partisë Demokratike, por pa patur kontratë me PD për to. Njëra nga pagesat ishte kryer nga shoqëria skoceze Biniatta Trade prej $150 mijë, dhe një tjetër prej $500 mijë paguar nga qytetarë amerikanë, por emrat e të cilëve ai nuk i ka bërë publik.

Biniatta Trade është kompani e regjistruar rregullisht në Skoci, në pronësi të dy kompanive të regjistruara offshore në Belize. PD nuk ka asnjë kontratë me Biniatta Trade, ndërkohë, Nick Muzin ka dorëzuar një kontratë konsulence me Biniattan, por të pa firmosur prej saj. Sidoqoftë, pagesa prej $150 mijë nga Biniatta për Muzin është bërë në mënyrë bankare, nga burime të ligjshme, për të cilat janë paguar taksat britanike dhe ato amerikane. Ligjet amerikane dhe britanike nuk ndolojnë trasnaksione të tilla.

$500 mijë dollarë të tjera janë paguar për Nick Muzin nga brenda SHBA-ve, pa kontratë me të dhe ai nuk ka bërë publike se kush e ka kryer pagesën. Sidoqoftë, edhe kjo pagesë është nga burime të ligjshme, është e deklaruar rregullisht nga Muzin dhe për të janë paguar taksat dhe detyrimet ligjore amerikane. Ligjet amerikane nuk ndalojnë as pagesat pa kontratë dhe as pagesat për lobim, mjaft që të deklarohet se për kë bëhet lobimi.

Prokuroria shqiptare i ka hetuar të treja pagesat, duke marrë zyrtarisht informacione nga SHBA-të dhe Mbretëria e Bashkuar rreth enteve të përfshira dhe mënyrës së kryerjes së tyre dhe nuk ka gjetur asnjë fakt apo indicie për shkelje ligjore apo burime të paligjshme a të dyshimta, përfshi burime apo kontakte ruse.

Në këto rrethana, akuza e vetme për të cilën ajo po heton është deklarimi i rremë në formularë—siaps nenit 190 të Kodit Penal,—duke dyshuar për mos deklarim të plotë në KQZ të të gjithë të ardhurave dhe shpenzimeve të PD-së për vitin 2017. Në KQZ, PD ka deklaruar vetëm kontratën dhe pagesën direkte për Nick Muzin, ndërkohë që prokuroria pretendon se edhe pagesa nga Biniatta dhe ajo nga brenda SHBA për Muzin duhet të ishin deklaruar si të ardhura dhe shpenzime të PD-së.

Më shumë për këtë temë mund të lexoni këtu.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>