Duket se tashmë, Qeveria Rama gjysmën e kohës e harxhon për të përgatitur konçensione dhe gjysmën tjetër për t’i justifikuar në publik këto konçensione.
Dje paradite, Kryeministri mbajti një mbledhje të Këshillit Ekonomik Kombëtar për të diskutuar për çështje të turizmit.
Por, në mënyrë të papritur dhe të pajustifikuar, nga rreth 45 minuta që ka zgjatur fjala e Kryeministrit, rreth 35 minuta kanë qënë vetëm mbrojtje e konçensioneve të dhëna prej tij.
Linja kryesore e mbrojtjes ka qenë krahasimi me politikat e ish-qeverisë Berisha, duke sulmuar konçensionet e qeverisë Berisha e duke lëvduar ë tijat.
Por nga ana tjetër, Kryeministri hodhi akuza se kundër tij dhe qeverisë ka veprime të organizuara e të qëllimshme nga opozita dhe media:
“Këtu jemi kthyer në një arenë ku ka dalë një budalla ka hedhur një gurë në lumë dhe bëhet garë se kush do të gjejë gurin. Mbushur me propagandë dhe nuk flas vetëm për propagandën e kundërshtarit politik, se po të ishte vetëm ajo, nuk do t’ju shqetësoja juve sot, por është një propagandë që gjeneron vetëm shpifje dhe injorancë. Injorancë në sistem, pa parë asgjë, pa lexuar asgjë, pa studiuar asgjë, pa dëgjuar asgjë. Po pse, gjithë kjo punë e bërë në dy vjet, me ekspertë vendas e të huaj, me vizita pune, me trajnime, kaq lehtë e paskan këta, që me një të dëgjuar e kthyekan në sistem akuze?! Kujt i shërben kjo! Dihet se kujt.”
Historia tregon se diçka po shkon keq në qeverisje, nëse një kryeministër ka nevojë për justifikime e sqarime të gjata dhe teori konspirative për të justifikuar vendimet e veprimet e tij.