Koncesioni i Laboratorëve Spitalorë do të nis në vitin 2020. Këtë lajm e bëri të ditur Ministrja e Shëndetësisë Manastirliu gjatë prezantimit të projektbuxhetit 2020, në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave në Kuvend.
Manastirliu tha se me përmes kësaj kontrate koncesionare do të “trefishohen analizat që do të garantohen falas në 18 spitalet që do të përfshihen në këtë partneritet”.
Por sipas kontratës koncesionari do të kryejë vetëm analizat që tashmë ofrohen nga spitalet shtetërore, ndërsa:
“Analizat e kryera nga spitalet private për llogari të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndëtësor (FSDKSH) nuk janë pjesë e kësaj kontratë.”
Kjo do të thotë se ato lloje analizash të cilat aktualisht nuk ofrohen në spitalet shtetërore, por vetëm në ato private, do të vazhdojnë të ofrohen nga këto të fundit. Me këto spitale private, FSDKSH ka lidhur kontrata dhe ato paguhen për këto shërbime.
Pra me shtimin e koncesionit të laboratorëve, nga buxheti i shtetit do të paguhet si kompania koncesionare për një pjesë të analizave, ashtu dhe spitalet private për një pjesë tjetër analizash.
Sipas statistikave, në 18 spitalet dhe urgjencat shtetërore e Shqiperisë kryehen rreth 5 milionë analiza në vit.
Koncesioni i Laboratorëve
Në dhjetor 2016, Ministria e Shëndetësisë shpalli tenderin për dhënien me koncesion të laboratorëve spitalorë në të gjitha spitalet e vendit.
Koncesioni do të kushtojë rreth 13 miliardë lekë (afërsisht 95 milionë euro). Ai do të zgjasë 10 vjet, pra gati 10 milionë euro në vit.
Më 24 prill 2017, Ministria e Shendetësisë shpalli fitues të koncesionit të laboratorëve spitalorë në të gjithë spitalet e vendit bashkimin e kompanive Labopharma Sh.p.k (41,7 për qind), Exalab France (25 për qind) dhe AB Laboratory Solutions B.V (33,3 për qind) Hollandë, kjo e fundit përfaqësuar nga Labopharma sh.p.k.
Kompania AB Laboratory Solutions B.V është sërish kompani hollandeze guackë e specializuar në dhënien e shërbimeve financiare.
Qeveria e ka quajtur këtë skemë partneritet publik-privat, por në fakt bëhet fjalë për një koncesion të pastër: privati ofron një shërbim direkt për klientët për të cilën paguhet direkt me tarifa të përcaktuara me anë të fondeve që vinë nga kontributi i detyrueshëm i sigurimeve shëndetësore paguar nga qytetarët.
Vendimi për dhënien me konçesion të laboratorëve është marrë pa bërë asnjë studim fizibiliteti apo vlerësime dhe analiza të tjera. Por për të justifikuar vendimin dhe për t’i dhënë atij një dozë kredibiliteti, qeveria ka pajtuar, në shkurt 2015, përkundrejt pagesës prej 74 mijë dollarë, ekspertizën e IFC-së për asistencë teknike në hartimin e projektit konçesionar dhe përgatitjen e tenderit.