Presidenti Ilir Meta deklaroi sot se të hënën do të propozojë ide konkrete rreth kërkesës së tij për të ndryshuar Kushtetutën me referendum.
Përmes një postimi në Facebook, Zoti Meta kujtoi Nenin 150 të Kushtetutës që mundëson referendumin që thotë se:
- 50 mijë qytetarë me të drejtë vote, kanë të drejtën e referendumit për shfuqizimin e një ligji, si dhe t’i kërkojnë Presidentit zhvillimin e referendumit për çështje të veçanta.
- Kuvendi, me propozimin e jo më pak se një së pestës së deputetëve (28 nga 140 deputetë) ose me propozimin e Këshillit të Ministrave, mund të vendosë që një çështje ose një projektligj ta shtrojë në referendum.
- Parimet dhe procedurat për zhvillimin e referendumit, si dhe vlefshmëria e tij parashikohen me ligj.
Presidenti tha se u bënë 21 vite që klasa politike nuk nxjerr ligjin për zbatimin e këtij parashikimi kushtetues. Meta thekson se me këtë mënyrë është bërë e pamundur ushtrimi i demokracisë direkte.
“[…] tani nuk ka më tolerim dhe as justifikime! Kjo klasë politike di vetëm të thellojë krizat dhe të mos mbajë përgjegjësi. Ajo nuk e njeh dialogun politik, interesin publik dhe kombëtar. Ndaj tani çdo gjë për t’ia dhënë fjalën sovranit përmes referendumeve. Çfarë e keqe e gjeti Zvicrën nga Referendumet? Le të pushojmë sot e nesër dhe të hënën do ju propozoj ide konkrete për Referendumin!”
Zoti Meta e deklaroi idenë e tij për referendum ditën e premte, me argumentimin kryesor se në këtë mënyrë mund të mbrohej demokracia.