Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë dërgoi sot në Gjykatën Kushtetuese disa nene të Kodit Penal, ndryshuar me ligjin e proçedurave tatimore. Ligjet, të njohura ndryshe si ligjet e gjobave ndaj biznesit, parashikojnë dënimin me burg të sipërmarrësve në rast të shkeljeve fiskale. Dhoma e Tregtisë i konsideron ato antikushtetuese.
Ndryshimet në Kodin Penal nuk janë botuar ende në Fletoren Zurtare. Por në rast se Gjykata Kushtetuese i vlerëson ato si jo në kundërshtim me Kushtetutën, bizneset mund të dënohen nga 6 muaj deri në 10 vjet burg për deklarim të rremë të mallrave, tregtimin e mallrave të ndaluar, falsifikim të vulave apo kontrabandë me akcizën.
Shoqata për Mbrojtjen e Tregtarëve, gjithashtu, ka kërkuar më parë nga Gjykata Kushtetuese shqyrtimin dhe hedhjen poshtë të ligjit. Ligji u miratua në Kuvend, në kuadër të luftës kundër informalitetit, pavarsisht kundërshtimit dhe protestave të bizneseve.