Konçesionet venë e vijnë

Konçesionet venë e vijnë

Pa hyrë ende në zyrë, Qeveria Rama kërkon t’i japë me konçesion kompanisë Crown Agents mbledhjen e të ardhurave doganore, por përfundon dhe i jep një kontratë asistence.

Ministri Gjiknuri ndryshon në mënyrë të njëanshme kontratat konçesionare të hidrocentraleve të vogla dhënë nga qeveria Berisha.

Qeveria Rama kërkon të anullojë konçesionin e skanimit në dogana.

Importuesit kundërshtojnë konçesionin e pullave të akcizës ngaqë ka tarifa shumë të larta.

Qeveria Rama, pasi harxhon miliona nëpër avokatë, rinegocion konçesionin e skanimit.

Ministri Beqaj jep me konçesion kontrollin shëndetësor të popullsisë 40-65 vjeç.

Ministri Ahmetaj kërkon të rinegociojë konçesionin e ekskluzivitetit të fluturimeve ndërkombëtare në aeroportin e Rinasit; deklaron shumë herë që ja ka arritur qëllimit, por nuk ka firmosur ende ndonjë kontratë.

Ministri Haxhinasto kërkon të japë me konçesion përfundimin dhe mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit, por anullon dy herë garën për mungesë interesi.

Qeveria Rama denoncon konçesionin e hidrocentralit të Kalivaçit dhënë italianit Becchetti nga qeveria Nano e rinegociuar nga qeveria Berisha; i sekuestron atij gjithçka, përfshi televizionin Agon Channel.

Becchetti e çon në arbitrazh qeverinë në lidhje me konçesionin e Kalivaçit.

Ministri Haxhinasto i jep me konçesion hekurudhën Fier–Vlorë djalit të një deputeteje socialiste.

Ministri Nasip Naço i jep me konçension shërbimin përmbarimor gjyqësor për 20 vjet një firme private përmbarimore me emrin Zig.

Qeveria Rama i jep me konçesion një ish-deputeti të Kavajës ndërtimin e varrezave të reja private të Tiranës, por pastaj ai tërhiqet nga investimi se u ofendua ngaqë ca media folën keq për të.

Ministri Beqaj i jep me konçesion shërbimin e dializës, spitalit që i operoi me sukses këmbën mamasë së moshuar të Kryeministrit.

Ministri Manjani anullon konçesionin e shërbimit përmbarimor dhënë nga parardhësi Naço; çuditërisht kompania Zig nuk ankohet.

Ministri Ahmetaj kryen tenderin për dhënien me konçesion të zonës industriale të Durrësit, shpall fituese dy kompani modeste kineze të lidhura me vëllain e Kryeministrit, por ende nuk ka firmosur kontratën.

Qeveria Rama përfundon kontratën me Crown Agents dhe menjëherë lidh kontratë asistence për doganat me kompaninë e konsulencës së ish Kryeministrit të Gjeorgjisë.

Ministri Beqaj i jep me konçesion një muratori sterilizimin e instrumentave kirurgjikalë të të gjitha spitaleve të vendit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës shpall dhënien me konçesion, një biznesmeni të njohur si Beso i Tajvanit, të një parkingu të nëndheshëm në Parkun Rinia që do fshijë parkun me gjithë pemë.

Ministri Gjiknuri i jep me konçesion një kompanie të dyshimtë kanadeze, pa aktivitet, bllokun naftëmbajtës së Velçës.

Ministri Ahmetaj kërkon të japë me konçesion hidrocentralin e Skavicës (atë të voglin) dy kompanive turke.

Ministri Cani kërkon t’i japë me konçesion ndërtimin e një platforme elektronike për mbledhjen e TVSH-së një kompanie të dyshimtë nga Hong Kongu, por që flitet se është thjesht mbulesë për kompaninë e vëllait të Kryeministrit.

Ministri Haxhinasto deklaron se ministria e tij po studion t’i japë me konçesion një kompanie të sapo krijuar vendosjen e një çipi elektroni në targat e makinave.

Kryebashkiaku i Tiranës shpall se kërkon të ndërtojë edhe katër parkingje të tjera të nëndheshme më konçesion anash bulevardit Dëshmorët e Kombit.

Ministri Gjiknuri kërkon të rishkojë ose anullojë konçesionet e naftës që ka dhënë qeveria Berisha.

Qeveria Rama duket se po përgatitetet të japë me konçesion mbledhjen e taksës mbi pasurinë.

Mjekët e Urgjencës së sapo mbyllur të Tiranës akuzojnë Qeverinë Rama se po përgatit dhënien me konçesion të shërbimit të urgjencës mjekësore.

Qeveria Rama kërkon të shtetëzojë agjençitë private doganore.

31 janar 2016, Ministri Ahmetaj deklaron: “Dua të theksoj se ne akoma jemi në fillesë të evidentimit dhe inicimit të mundësive për partneritete publike private.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>