Arta Marku nuk mund të jetë pjesë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, për shkak se nuk u zgjodh si Prokurore e Përgjithshme. Ajo u përzgjodh me short dje për të qënë pjesë e KED si përfaqësuese e Prokurorisë së Përgjithshme. Me largimin e saj nga drejtimi i Prokurorisë së Përgjithshme, ajo humbet statusin si prokurore pranë kësaj prokurorie.
Kushtetuta përcakton se “pas përfundimit të mandatit dhe me kërkesë të tij, Prokurori i Përgjithshëm emërohet në detyrën e mëparshme ose gjyqtar në gjykatën e apelit”.
Në varësi të zgjedhjes së saj, ajo do të kthehet në Prokurorinë e Shkodrës ku ushtronte detyrën më parë ose do të emërohet gjyqtare në një nga Gjykatat e Apelit.
Kështu ajo nuk mund të jetë më anëtare e KED. Vendin e saj do ta zërë prokurori Bilbil Mete.
Zoti Mete ka mbajtur funksionin e drejtuesit të hetuesisë në Dibër dhe më pas atë të prokurorit, gjatë periudhës së komunizmit. Në vitin 1997 ai u emërua si Prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme. Prokurori Mete ende nuk ka kaluar procesin e vetingut.