Partia Demokratike braktis çështjen e pronave – Koment

Partia Demokratike braktis çështjen e pronave – Koment

Partia Demokratike nuk do ta ankimojë në Gjykatën Kushtetuese ligjin e pronave, i cili u miratua sërish nga Kuvendi pas refuzimit të dekretimit të tij nga Presidenti i Republikës.

Këtë gjë e bëri të ditur mbrëmë, në një bisedë televizive, Drejtori i Departamentit të Pronave në PD, Gent Malko.

“Në qoftë se më pyesni në mënyrë drejt për së drejti a do e çojë Partia Demokratike ligjin në Kushtetuese po ja u them në mënyrë ekspliçite, pa diskutim, që nuk do ta çojë,” u shpreh Zoti Malko.

Sipas tij, edhe pse PD votoi kundër ligjit në Kuvend, edhe pse PD mbështet shoqatat e pronarëve të cilat e konsiderojnë ligjin kriminal, ajo vetë ka vendosur të mos kërkojë shpalljen antikushtetuese të ligjit.

Arsyeja që Zoti Malko dha për këtë qëndrim është se “Kryetari i Partisë Demokratikë deklaroi, pak kohë më parë, në mënyrë të qartë dhe publike ‘mjaft më me ankimet për ligjet antikushtetuese që bën qeveria, ka vetëm një rrugë, rruga është përpjekja maksimale për ta larguar qeverinë nga pushteti.’”

Zoti Malko deklaroi se PD do të vijë shpejt në pushtet dhe atëhere ajo do ta anullojë ligjin menjëherë.

Këto qëndrime të Partisë Demokratike duken të pajustifikuara. Argumenti se PD heq dorë nga çdo përpjekje për të mbrojtur të drejtat e qyetarëve, përfshi të drejtën e pronës, për shkak se ajo kërkon të rrëzojë qeverinë, është argument krejtësisht jorealist, madje qesharak për një forcë serioze politike.

Ndërsa, premtimi i saj se do të anullojë ligjin sapo të vijë në pushtet duket qëndrim hipokrit, pasi është e qartë se edhe nëse ligji do të anullohet dikur në të ardhmen, do jetë e pamundur të anullohen apo çbëhen efektet e zbatimit të tij deri në momentin e anullimit.

Braktisja e çështjes së pronave nga Partia Demokratike është edhe më problematike në kushtet kur të drejtën e ankimimit në Gjykatën Kushtetuese nuk e kanë individët, por vetëm një numër i vogël organizatash dhe institucionesh, ndër të cilat partitë politike.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>