Ish-Drejtori i Institutit për Studimin e Krimeve dhe pasojave të Komunizmit (ISKK), Agron Tufa, theksoi sot se për cenimet që ka pësuar nuk do të tërhiqet nga qëndrimi për të kërkuar drejtësi përmes rrugëve ligjore. Për këtë ai paralajmëroi se do të ngrinte padi të tjera.
Pas lajmit se Gjykata e Tiranës kishte pushuar çështjen penale ndaj deputetit socialist, Spartak Braho, zoti Tufa reagoi përmes një postimi në Facebook ku tha se do të niste padi të tjera.
Zoti Tufa e cilësoi pushimin e çështjes të ndikuar nga politika dhe influenca ish-zyrtarëve të diktaturës dhe tha:
“Së shpejti do të ketë depozitim për një sërë padish të reja edhe më të rënda, në shkallë të gjerë. Mos t’i rrejë mendja për tërheqje! Jam qytetar dhe do të respektoj ligjet, derisa të bëhet funksional shteti ligjor. Nuk do të mund të më fshihen dot në të drejtën time të ligjshme para drejtësisë!”
Në muajin prill, zoti Tufa paditi për shpifje dhe fyerje deputetin Braho, ish-ministrin Sabit Brokaj dhe gazetën Dita. Më 24 dhjetor Gjykata e Tiranës pushoi çështjen për shkak të një prokure të pafirmosur nga pala paditëse.
Ish-Drejtori i ISKK ka pasur përplasje, sidomos me deputetët socialistë, ndërsa ka mbështetur padinë ndaj ish-komandantit të burgut të Qafë-Barit, Edmond Caja, i akuzuar për dhunë sistematike ndaj ish-të burgosurve.
ISKK ka hulumtuar dhe nxjerrë disa botime të cilat nxjerrin në pah ekzekutimet pa gjyq të kryera nga komunistët përpara se të merrnin pushtetin, por dhe krime të tjera gjatë regjimit. Për shkak të detyrës, zoti Tufa ka marrë shpesh kërcënime për jetën. Së fundmi, ai kërkoi azil në Zvicër për veten, gruan dhe pesë fëmijët e tij.