Gjykata e Tiranës vendosi sot të linte të lirë, por “me detyrim paraqitje”, aktivistët e Organizatës Politike, të cilët u arrestuan tre ditë më parë pasi shpërndanë fletushka me mbishkrimin “Samir Mane shtyp minatorët” në qendrën tregtare TEG.
Bislim Lakna, Frenkli Elini dhe Enriko Peçuli qenë arrestuar me akuzën “prishje e qetësisë publike” dhe “përhapje të informacioneve të rreme që ngjallin panik”, por në seancën gjyqësore prokuroria u tërhoq nga akuza e “përhapjes së panikut”. Tre të rinjtë i thanë BIRN-it se ishin dhunuar nga punonjësit e sigurisë së TEG-ut, se ishin arrestuar padrejtësisht dhe se do ta apelonin çështjen.
Prej disa javësh Organizata Politike ka ndërmarrë një fushatë publike kundër Samir Manes, drejtues të Balfin Group, e cila zotëron qendrën tregtare TEG dhe kompaninë Albchrome. Fushata ka lidhje me situatën e krijuar me minatorët në Bulqizë, për të cilën ka shumë pretendime mes palëve (për të lexuar një përmbledhje të plotë kliko këtu).