Gjykata shtyn seancën për dosjen 339

Nga Redaksia
Gjykata shtyn seancën për dosjen 339

Gjykata e Posaçme Antikorrupsion vendosi sot të shtyjë për në 16 janar seancën për dosjen 339. Shkak u bë kërkesa e Astrit Avdylaj, anëtar i bandës së Avdylajve, të cilët akuzohen për trafikim të lëndëve narkotike në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe pastrim parash.

Avdylaj kërkoi ballafaqim me të dy prokurorët e çështjes, Vladimir Mara dhe Dritan Prençi duke argumentuar se ata kanë manipuluar provat. Në seancën e sotme mungonte prokurori Vladimir Mara.

SPAK ka mbyllur hetimet për këtë rast dhe ka dërguar në gjykatë procedimin për 19 të akuzuar.

Mes të arrestuarve janë dhe 13 anëtarë të bandës së vëllezërve Avdylaj nga Shijaku, të cilët u kapën në audio-përgjime teksa flisnin me ish-kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako për mbledhjen e votave për PS-në në zgjedhjet e vitit 2017.

Laboratori i përpunimit të heroinës në Has, për të cilin akuzohet banda e Avdylajve, u zbulua më 19 tetor 2018. Policia sekuestroi 150 kilogramë heroine të përpunuar, të bërë gati për shitje, dhe një sasi opiumi, lënda bazë për përpunimin e heroinës.

Laboratori ishte ndërtuar në një zonë periferike, në fshatin Brenog brenda dy kapanoneve që më parë, përdoreshin si stalla për bagëtitë. Ka dyshime se laboratori i përket një linje të trafikut të drogave të forta që vepron prej vitesh nga Shqipëria drejt vendeve të BE-së.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>