Ambasadorja e re e SHBA-ve Yuri Kim është zotuar të nxisë liderët e Shqipërisë për të zgjidhur krizën politike, si e vetmja mënyrë për të forcuar perspektivën e hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE.
Gjatë betimit si ambasadore, të enjtën në mbrëmje, Zonja Kim theksoi dhe rëndësinë e zbatimit të reformës në drejtësi dhe hetimin e ndëshkimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Zonja Kim u propozua nga Presidenti Donald Trump që më 17 korrik. Më 19 dhjetor, Senatit amerikan votoi me votë me zë pro emërimit të Yuri Kim si ambasadore e SHBA-ve në Tiranë.
Ajo është me origjinë nga ishulli i Guamit në Oqeanin Paqësor. Flet gjuhë koreane, mandarin (kineze), japoneze dhe turke. Ka karrierë të gjatë në diplomaci. Më parë ka shërbyer si konsull politik në Irak dhe Turqi.
Ajo ka zënë vendin e lënë bosh nga Donald Lu, i cili u emërua vitin e shkuar Ambasador në Kirgistan.