Sa dhe si na kushtojnë reformat fiskale në Shqipëri?

Sa dhe si na kushtojnë reformat fiskale në Shqipëri?

Reforma tatimore në zbatim nënkupton diçka specifike: ulje të normave të taksave dhe zgjerim të bazës tatimore. Ulja e niveleve humbet të ardhurat, por një reformë e kujdesshme i gjen ato duke mbyllur boshllëqet nga evazioni, përjashtimet dhe trajtimet e favorshme fiskale të një lloji të ardhurash mbi një tjetër, duke synuar me gjithë këto masa zgjerimin e bazës së të ardhurave të cilat tatohen.

Megjithatë kjo politikë reformuese nuk e përshkruan reformën e vërtetë të taksave.

Duke pasur parasysh se reforma ka një konotacion pozitiv, çfarë është kaq eksituese për të shpallur një politikë taksimi me norma më të ulëta dhe një bazë më të gjerë?

Teoria dhe faktet sugjerojnë që individët dhe bizneset, që sistemi aktual i ngarkon me detyrime të konsiderueshme tatimore lobojnë në vijimësi si të përfitojnë nga ndryshime të favorshme në legjislacionin e taksave. Faktet e gjithë këtyre viteve në dy dekadat e fundit kanë treguar se këto ndryshime rrallë ndodhin për t’i shërbyer një qëllimi të madh ekonomik.

Ato propozohen, sepse disa industri apo individë kanë zgjedhur një lobist të fortë me xhepa të thellë. Madje, kjo e fundit ndihmon anëtarët e Parlamentit të “kuptojnë” se sa i rëndësishëm është boshllëku që ata kërkojnë për të mira më të mëdha publike. Pra, uljet e normave dhe lehtësirat tatimore shpesh janë joefikase ekonomikisht, si dhe të pabarabarta.

Nëse nisemi nga efekti fillestar i reformës, ku normat më të ulëta tatimore do të gjenerojnë më shumë rritje ekonomike dhe kështu ky zgjerim i ekonomisë do të fillojë ta shlyejë veten nëpërmjet rritjes së kontributit të taksave për buxhetin, atëherë ky ndikim do të ishte i llogaritur saktë.

Por, kur qeveria ka pak mbështetje nga taksapaguesit për këtë politikë, atëherë efekti i reformës me norma më të ulëta mund të kushtojë shtrenjtë si për buxhetin, por edhe për bazën tatimore, e cila mund të ngushtohet për arsyen e reagimit nga konkurrenca e padrejtë, e cila krijohet nga ulja e disa normave për disa industri dhe kategori taksapaguesish.

Në këtë mënyrë është prishur edhe ajo barazi në taksim që egzistonte përpara reformës.

Qeveritë sapo marrin pushtetin e konceptojnë gabimisht dhe në mënyrë të palidhur me zhvillimet ekonomike teorinë e uljes së taksave. Ata nisen nga një perceptim mjaft i përgjithshëm, se nëse ulen taksat, njerëzit do të punojnë dhe bizneset do të investojnë më shumë.

Në fakt, ndikimet nga qasje të tilla janë të paqarta: Disa taksapaguese do të punojnë pak më pak pas një uljeje të taksave, pasi ata mund t’i mbajnë të ardhurat e tyre konstante me më pak punë. Ndërsa, një pjesë e tyre që mban peshë më të madhe në buxhet do të funksionojnë më shumë për të përfituar nga hapësirat që krijohen nga politikat e lehtësimit fiskal, se sa të kërkojnë të investojnë për të krijuar fitime më të mëdha. Ndërkohë, shumica dërrmuese e tyre nuk do të ndryshojë mënyrën e tyre e vet të punës (ose shumën që ata investojnë).

E gjithë kjo panoramë që mund të shihet pas zbatimit të një politike me taksa të ulura ndodh për arsye se ambjenti ekonomik ku operohet është mjaft problematik, konkurrenca e tregjeve rajonale është e fortë, si dhe informaliteti dhe korrupsioni nuk lejojnë zhvillime të tilla, për të reflektuar mbi ndryshimet e politikës.

Duke e zhvendosur argumentin në realitetin shqiptar në vitin 2014 e në vijim, ku ndodhën ulje të taksës për individët me paga të ulëta, si dhe u hoq taksa e biznesit të vogël dhe u reduktuan ndjeshëm normat për kategoritë e tjera të biznesit të vogël, iniciuesit e këtyre ideve parashikuan se këto masa reformuese do të siguronin një “nxitje të menjëhershme dhe të qëndrueshme” për ekonominë shqiptare.

Ata natyrisht ishin të gabuar.

E njëjta gjë ndodhi në këtë periudhë, ashtu siç ka ndodhur kurdoherë që janë ulur taksat: humbje e të ardhurave për buxhetin dhe prishje e barazisë në ekonomi. Mjaft taksapaguesë ndryshuan statusin e tyre tatimor me “kalime” në statuse të tjera taksimi, që ata të mund të përfitonin sa më shumë nga lehtësirat tatimore të reja.

Vlerësimi i efekteve në ekonomi u zvogëlua dhe qeveria e dogji mundësinë përmes tentativave për të zhvendosur barrën fiskale nga të vegjëlit tek të pasurit. Në krahasim me shtetet fqinje nuk u arrit që ekonomia të ishte më konkurruese se më përpara. Për më tepër, rritja ekonomike dhe e vendeve të punës në fakt nuk arriti aty ku u parashikua. Pra, tjetër gjë është po të flasin për uljen e taksave dhe një tjetër gjë është po të flasim për reformën e taksave.

Reforma e vërtetë e taksave nuk është ulje e taksave.

Në fakt, ulja dhe lehtësirat prej taksave, të gjitha së bashku këto masa reformuese mund ti heqin buxhetit në rezultante 10 – 15 miliardë lekë për një periudhë 10 vjeçare. Ndërkohë, në rastin kur evazioni tatimor nuk ka arritur të ulet në nivele që të ndihet nga ekonomia formale të ardhurat e munguara do të jenë kosto e rritur për taksapaguesit që janë formalë dhe pse baza tatimore mund të pësojë rritje për këtë kategori me kalimin e viteve.

Reforma reale e taksave nënkupton ndryshime të taksave që i përgjigjen nevojave të shumicës së takspaguesve, tani dhe për të ardhmen.

Reforma reale e taksave do të fillonte nga një vlerësim me sy të qartë të burimeve që qeveria do të duhet për të përmbushur këto nevoja, të gjitha ato që konsiderohen si të mira publike, përfshirë sigurimet shoqërore dhe rrisqet që nuk do të përmbushen nga forcat e tregut.

Reforma duhet të kompensojë, jo të përkeqësojë pabarazitë e krijuara nga tregu dhe sistemi. Reforma duhet të rrisë të ardhurat e nevojshme për të përmbushur sfidat e shumta me të cilat do të përballemi si vend që në dekadën e ardhme.

Midis 2020 dhe 2030, pjesa e popullsisë mbi 65 pritet të rritet më shumë (nga 15 përqind në 20 përqind), duke krijuar presion si në krahun e shpenzimeve ashtu edhe në të ardhurat e buxhetit. Kostot e shëndetit po rriten me ngadalë, falë pjesërisht dizenjimit të sistemit shëndetësor për të ulur kostot.

Por duke pasur parasysh presionet demografike dhe të kostos shëndetësore, vërehet se mbajtja e Sigurimeve Shoqërore dhe programet e shëndetit publik do të kërkojnë një tjetër 1.2 përqind të PBB-së gjatë dekadës së ardhshme.

Në këtë këndvështrim, arsyeja kryesore që socialistët synojnë rritjen e produktivitetit fiskal është se ata janë partia që njeh rolin e qeverisë në përmbushjen e sfidave qeverisëse dhe integrimin e ekonomisë në rajon dhe më tej në BE. Kjo njohje kërkon që ata të mbledhin të ardhurat e munguara për të paguar nevojat e qeverisë që të vijojë përmbushjen e sfidave të programit të saj.

Socialistët njohin gjithashtu lojën e gjatë të demokratëve për të minuar këtë rol, pra për të zvogëluar efektin e masave reformuese të qeverisë.

Loja e demokratëve është aq e thjeshtë dhe transparente sa edhe dritëshkurtër: ulje të taksave duke u thënë takspaguesve, se efektet e rritjes ekonomike do të kompensojnë kostot e tyre. Kur kjo me gjasa nuk do të ndodhë, mjafton një shfajësim duke ja hedhur fajin të tjerëve për të justifikuar dështimin e reformës të shpallur prej tyre. Në fund, pasi nuk ja dalin dot të përfitojnë nga reforma ata do të fillojnë të argumentojnë se e vetmja mundësi është të shkurtohen shpenzimet. Prej një kohe të gjatë, demokratët dhe socialistët nuk kanë dëshirë ta lidhin këtë lojë cinike me parimet e reformës reale të taksave.

Në vend të kësaj, në rastin më të mirë të ardhurat do të rriten vetëm duke i marrë më shumë atyre që fitojnë më shumë. Në rastin më të keq, ndërsa demokratët do të ulin taksat për të pasurit (taksa e sheshtë), socialistët do të ulin taksat për nivelet e ulta të pagave dhe kategorinë që fiton pak.

Kjo është një lojë që ka sjellë vetëm humbje, si për buxhetin, por edhe për individët dhe bizneset.

Socialistët, demokratët apo kushdo forcë e ardhme politike progresiste duhet të shpjegojnë se çfarë është reforma reale e taksave.

Pse është kaq e nevojshme ajo dhe si duhet të mbështetet një rol mjaft i fortë i saj, për një qeveri që financohet me lehtësi dhe shfrytëzon të drejtat kushtetuese për të përmbushur sfidat e mëdha me të cilat përballemi.

Së pari, nevojitet që të vendoset sa më shpejt një model me cikël të plotë meritokratik, i cili nuk duhet të ketë më fatin e modeleve të mëparshme. Efekti kryesor do të sjellë rritje të ndjeshme për të ardhurat pasi minimizon korrupsionin dhe mungesën e motivimit në punë. Koha kur zgjidhet të bëhet kjo ndikon drejtpërdrejt në rezultatin e tyre dhe ndikon edhe për votimet e ardhme.

Së dyti duhet të zhvendoset barra fiskale nga TVSH te tatimi mbi individin dhe më tej duhet të zbatohet taksimi real për të pasurit. Reformat që duhet të ndërmerren nuk duhet të synojnë kategori të mëdha taksapaguesish, por të destinohen për kategoritë që duhet të bëhen pjesë e një sistemi barazie para ligjit. Reforma e tatimeve direkte është dukshëm me efekte më të vogla se reformat e tjera për ekonominë, por një reformë e tatimeve indirekte është më e ndjeshme nga qytetarët.

Së treti, krijimi i një ambjenti social dhe ekonomik, për të rritur kapacitetet dhe trajtimet e punonjësve për të forcuar konkurencën dhe zgjerimin e tregut përtej kufijve aktualë duke synuar një politikë të plotë për të mbajtur në vend të paguarit pak që po largohen nga vendi.

Rritja e kënaqshme e të ardhurave, në atë mënyrë që balancon efikasitetin dhe konsideratat e kapitalit, d.m.th., që minimizon shtrembërimet që krijohen duke favorizuar një lloj të ardhurash ndaj një tjetre, duke ruajtur neutralitetin e taksave është reforma e vërtetë e taksave.

Botuar në Altax.al

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>