Senatori amerikan Marco Rubio është shprehur se dy diplomatët iranianë që dëboi dje qeveria shqiptare nuk ishin thjesht spiunë, por ishin kontakte direkte të ish-gjeneralit Kasem Soleimani.
Senatori republikan i Floridës, ish-kandidat për President në presidencialet 2012, deklaroi me një postim në Twitter se dëbimet e këtyre 2 diplomatëve nga Shqipëria janë të tjera dëshmi se Soleimani po punonte për të ngritur një rrjet botëror të terrorizmit.
“Të tjera dëshmi të ndihmës së Soleimanit për të ngritur rrjetin botëror të terrorizmit iranian, Shqipëria urdhëroi largimin e 2 diplomatëve sepse ata paraqisnin rrezik serioz. Raportime thonë se nuk ështe thjesht sepse ata ishin spiunë. Ata ishin në kontakte direkte me Soleimanin”.
Që prej vitit 2016, pas strehimit të 3,000 anëtarëve të organizatës Mojahedin-e-Khalq (MEK), Shqipëria ka dëbuar 4 diplomatë iranianë.
MEK-u kundërshton regjimin e Teheranit dhe konsiderohet organizatë terroriste nga Irani dhe Iraku.
Në tetor 2019, policia shqiptare pretendoi se kishte zbuluar një “rrjet terrorist të drejtuar nga regjimi iranian”. Rrjeti i pretenduar përbëhej nga 4 shtetas iranian të cilët “kishin formuar një celulë aktive terroriste të Forcës Iraniane Quds, e cila është pjesë e Gardës Islamike Revolucionare të Iranit”.
Asnjë arrestim nuk u krye, por policia deklaroi se celula po planifikonte të kryente akte terroriste në mars 2019 gjatë festimeve të Novruzit, të cilat frekuentoheshin nga një pjesë e lartë e anëtarësisë së MEK-ut.