Pas një sëmundje të rëndë, u nda mbrëmjen e sotme nga jeta Xhevdet Ferri, aktor i njohur, ish-drejtues i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe Teatrit Kombëtar.
Xhevdet Ferri u nda nga jeta në moshën 59 vjeçare duke lënë pas një trashëgimi të madhe artistike.
I diplomuar në arte për dramë e nisi karrierën që në fillim vitet ’80. Për 30 vite mori pjesë në rreth 20 filma dhe dhjetëra shfaqje teatrale.
Pas rrëzimit të komunizmit dhe vështirësive që hasi kinematografia, u angazhua për të mbrojtur të drejtat e artistëve dhe të drejtat e autorit.
Në vitet 1996-1998 u bë deputet i Partisë Demokratike ndërsa më parë kishte drejtuar Qendrën Kombëtare të Kinematografisë, post të cilin do ta mbante sërish edhe në vitin 2006. Mes viteve 1999-2001 drejtoi Teatrin Kombëtar.
Në vitin 2004 ishte bashkëthemelues i Shoqatës së Kineastëve Shqiptarë dhe mori pjesë në debatet e shumta që u bënë rreth të drejtave autoriale të artistëve rreth prodhimtarisë së ish-Kinostudios Shqipëria e Re.
Presidenti Meta, Kryeministri Rama dhe Kryetari i PD-së Basha i shprehën ngushëllime familjes Ferri përmes rrjeteve sociale.