Gjykata e Tiranës ka bërë publik vendimin për pushimin e çështjes ndaj Lulzim Bashës dhe zyrtarëve të Partisë Demokratike në lidhje me lobimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2017.
Sipas vendimit të gjyqtarit Lazer Sallaku, nuk ka pasur prova se PD ka paguar shumën prej 500 mijë dollarësh, ashtu siç ka deklaruar Nik Muzin, ndaj të dyja akuzat, si ajo për falsifikim të formularëve të deklarimit të shpenzimeve, ashtu dhe ajo e pastrimit të parava, nuk u provuan.
Prokuroria nuk ka mundur të provojë se mes Partisë Demokratike dhe kompanisë Biniada Trade ka pasur kontratë lobimi, dhe as se Nik Muzin i ka marrë 500 mijë dollarët nga PD.
Po ashtu, gjykata ka vlerësuar se mes PD-së dhe Nik Muzin nuk ka pasur kontratë dhe as ndonjë akt marrëveshje shoqëruese, ndërsa kontrata mes Nik Muzin dhe kompanisë Biniada Trade, nuk ka pasur lidhje me interesa te ndonje partie politike.
Pavarësisht argumentimit të gjykatës, prokuroria ka lajmëruar se do ta apelojë vendimin për pushimin e çështjes.
Në qershor 2019, prokuroria ngriti akuzat “falsifikim të formularëve” dhe “kryerjen e veprimeve financiare ose transaksioneve të copëzuara për shmangien nga raportimi” ndaj Lulzim Bashës, Arben Ristanit dhe ekonomistit të PD-së Ilir Dervishi.
Në nëntor 2019, prokurorët e çështjes vendosën të rrëzojnë akuzën për mosdeklarim të të ardhurave dhe kanë dërguar për gjykim vetëm për falsifikimin e formularëve. Hetimet u kryen nga prokurorët Gjergj Tako, Ervin Karanxha dhe Kol Hysenaj.
Për të lexuar më shumë për këtë temë, klikoni këtu.