Artan Hoxha publikon videon e plotë, kryebashkiaku që merr drogë është Lefter Alla

Nga Exit News
Artan Hoxha publikon videon e plotë, kryebashkiaku që merr drogë është Lefter Alla

Gazetari Artan Hoxha konfirmoi për Abc News se kryebashkiaku i akuzuar se merr drogë është Lefter Alla, i Bulqizës.

Në studion e Abc News me gazetarin Endri Xhafo, Hoxha publikoi videon e plotë dhe këmbënguli se rasti në fjalë është shumë i rëndë.

“Kjo konfirmon akuzat e PD-së që kërkoi të fuste me ligj testin për narkotikët për funksionarët e lartë. Është një rast që përbën problem. Kemi të bëjmë me njerëz që janë zgjedhur me votën e qytetarëve dhe marrin vendime për të mirën e qytetarëve. Për mirëadminstrimin e zonës. Problematika tjetër është se si është e mundur që këta persona i shpëtojnë filtrit të përzgjedhjes nga ata që i kandidojnë. Këtu është një ambient publik dhe bëhet fjalë për një moment diskreditues”.

Gazetari Artan Hoxha publikoi në mëngjes vetëm foto nga videoja në emisionin e Enkel Demit “Abc-ja e Mëngjesit”. Gjatë ditës kryebashkiaku Lefter Alla mohoi akuzat dhe tha se ishte sulm politik.

Më vonë Hoxha i dha Abc Newsit videon e plotë dhe tha se e kishte të konfirmuar që personi në fjalë ishte Lefter Alla. Gazetari tha se kishte pasur trysni të ndryshme për të mos e publikuar videon. Ai i bëri thirrje policisë që të ketë kujdes burimet e tij të informacionit pasi ka pasur kërcënime.

I vetëdijshëm se me publikimin e kësaj videoje sot kishte krijuar shumë armiq. I pyetur nga gazetari Xhafo nëse e kishte të nevojshme mbrojtjen nga policia, Hoxha tha se ishte ndjerë i kërcënuar edhe në të shkuarën, por theksoi se atë “e mbron e vërteta”.

Partia Demokratike reagoi pas publikimit të videos duke thënë se “ndarja e politikës nga krimi është emergjencë kombëtare”. Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat PD-ja tha:

“Largimi i trafikantëve dhe përdoruesve të drogës nga politika është hapi kyç për t’i hapur rrugë një qeverisje normale në Shqipëri dhe për të kthyer besimin tek të rinjtë se meritokracia dhe jo lidhja me krimin janë mundësia për të bërë karrierë.”

Kryebashkiaku Alla komentoi në Facebook se videoja ishte montazh dhe e lidhi atë me opozitën:

“Montazhi që po shfaqin sot është seria e radhës e telenovelës Babale, që si për turp shfaqet në TV me Ervin Salianjin, të njëjtin njeri që sajoi Babalen e që sot është dënuar me burg për mashtrimin e vet në atë telenovelë e do të përballet me gjykatën edhe për këtë rast.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>