Prej 26 nëntorit familja strehohet në makinë, bashkia asnjë ndihmë

Prej 26 nëntorit familja strehohet në makinë, bashkia asnjë ndihmë

Një familje prej 4 personash, mes të cilëve 2 fëmijë të mitur, prej 2 muajsh po jetojnë në makinë, pasi shtëpia e tyre është shpallur e pabanueshme si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit.

Familja Saraçi në Kombinat me 2 fëmijë 10 dhe 11 vjeç, thotë se nuk ka marrë ndihmë nga bashkia dhe se tashmë ata po flenë dhe jetojnë çdo ditë në makinë.

Kryefamiljari Ferdinand Saraçi sqaroi për BalkanWeb se pasi pallati ku ata jetonin u shpall i pabanueshëm, ata u strehuan në një çadër të ngritur nga Emergjencat Civile, por çadra u mbush me ujë që me shiun e parë.

Më pas ata u strehuan në një hotel, por qëndroi aty vetëm dy ditë pasi u nxorrën jashtë me urdhër të kryetarit të Njësisë Administrative, menjëherë sapo folën në media për vështirësitë e mëdha, me të cilat po përballeshin.

Tani nga bashkia ka marrë vetëm një batanije dhe bonusin e qirasë për muajin janar, ndërsa për muajin dhjetor ende jo.

I pyetur për këto, kreu i Njësisë Administrative nr 6, në Kombinat, Adriatik Merko, tha se vonesa e lëvrimit të bonusit të dhjetorit është përgjegjësi e këshillit bashkiak dhe bashkisë së madhe. Ai nuk pranoi të komentojë akuzat e Ferdinand Saraçit për dëbimin nga hoteli.

Familja Saraçi, ku punon vetëm bashkëshortja, vendosi të marrë një kredi prej 2 milionë lekësh për të gjetur shtëpi me qira, por qiratë janë rritur ndjeshëm dhe se askush nga pronarët nuk pranon të lidhë një kontratë qiraje të rregullt.

Ata tregojnë se si rasti i tyre ka plot familje të tjera në Kombinat që nuk kanë marrë asnjë zgjidhje nga bashkia, por janë munduar të gjejnë zgjidhje provizore: disa kanë gjetur strehim tek miq të afërm apo në shtëpi me qira, ndërsa të tjerë kanë vendosur të marrin përsipër rrezikun, duke vijuar jetesën në pallatet e dëmtuara.


Kush ka mundësi të ndihmojë familjen Saraçi, të telefonojë në numrin 0676658272.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>