David Lega, raportues për Shqipërinë në grupin e Partive Popullore Evropiane në PE i bëri sot thirrje qeverisë të rishikojë ndryshimet ligjore për mediat të njohura ndryshe si “paketa anti-shpifje”, pasi ato mund të rrezikojnë negociatat me BE-në.
Përmes një postimi në Twitter, ai tha:
“Po përsëris qëndrimin tim mbi rrezikun që mbartin ligjet e reja për median në lidhje me çeljen e mundshme të negociatave me BE-në. Grupi PPE i Parlamentit Evropian beson fort në çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Por Shqipëria duhet të respektojë kriteret e Kopenhagenit që janë një standard bazik e minimal për një vend kandidat. Nëse qeveria Rama do të miratojë në Kuvend ligjet [për mediat] në formën aktuale atëherë ajo vë në rrezik serioz shansin për çeljen e negociatave të anëtarësisë në BE.
Qeveria Rama duhet patjetër të përmbushë rekomandimet specifike të dhëna nga Komisioni Evropian dhe nga Këshilli i Evropës.”
Socialistët e kanë dërguar në Parlament paketën anti-shpifje pa e ndryshuar atë megjithëse Presidenti Meta e ktheu për rishqyrtim me argumentet se shkel lirinë e shprehjes dhe parimet themelore të një shteti demokratik.
Paketa anti-shpifje pritet të votohet të enjten. Juristja e së drejtës së medias, Flutura Kusari, vuri në dukje sot se qeveria po e kalon sërish ligjin pa pritur opinionin e Komisionit të Venecias (KV).
Në një Twitter ajo tha:
“[…] është turp që Kryeministri nuk mund të presë dot për Komisionin e Venecias”.
Një javë më parë Këshilli i Evropës (KiE) kërkoi opinion nga KV, ndërsa Komisioni Evropian i ka bërë thirrje qeverisë rishikimin e paketës anti-shpifje sipas rekomandimeve të KiE. Shqetësimi për rrezikim të negociatave prej paketës anti-shpifje është ngritur më parë edhe nga opozita.
Paketa anti-shpifje u miratua në 18 dhjetor 2019 dhe ndryshon dy ligje të medias. Ndryshimet janë kritikar nga gazetarët, organizatat e mediave lokale dhe ndërkombëtare, organizatat e të drejtave të njeriut dhe organizatat politike. Kritikat theksojnë se me ndryshimet në ligje autoritetet shtetërore marrin atribute të gjykatave dhe mund të censurojnë mediat.