Kryetari i Kuvendit dhe i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta bisedoi, dje në mbrëmje, me gazetarin Ylli Rakipi, në emisionin Të Paekspozuarit.
Më poshtë janë disa nga deklarimet kryesore që ai bëri:
- Reforma në drejtësi po ecën me ritmin e parashikuar. Do të ndodhë diçka e madhe, por nuk do të ndodhë brenda natës.
- Meta është mësuar me drejtësi pa integritet, nuk kam asnjë shqetësim nga askush.
- Unë jam dakord që ka përgjegjës [për futjen e personave të inkriminuar në parlament], e fus edhe veten time si pjesë e kësaj përgjegjësie.
- Çdo konçension, për mendimin tim, duhet të jetë më transparent se deri tani.
- Shumë partneritete publike private kanë dështuar dhe pasojat me to po i ndeshim edhe sot. Nuk është e thjeshtë për t’i çbërë ato sepse shteti shkon në arbitrazh dhe dëmtohen më tepër taksapaguesit.
- Kam vënë re se kanë ikur edhe qytetarë që kanë qenë në punë, por të pakënaqur me standardin e jetesës.
- Duhet të gjejmë përgjegjësi për situatën brenda vendit, por mos t’ja faturojmë qeverisë, megjithëse ajo merr faturë më shumë se opozita.
- Qëndrimet tona publike, bashkë me Kryeministrin Rama, edhe për ekonominë edhe buxhetin edhe politikën e investimeve dhe shpenzimeve, janë të bëra publike. Se çfarë [tjetër] bisedojmë ne, nuk është e detyrueshme që opinioni ta dijë.
- Kemi edhe probleme brenda vetes [LSI-së], por koalicioni ka treguar që funksionon, ka mendime të ndryshme për çështje të caktuara, por jemi dy forca komplementare.
- [LSI preferon] sistemin zgjedhor aktual me korrektim kombëtar, të mos humbasin votat. Do të ishte më i drejti dhe më përfaqësuesi.
- Listat e mbylluara nuk e ndihmojnë parlamentarizmin.
- Që t’ju them që s’më ka shkuar në mendje të jem President, s’do të isha i sinqertë, por jo ta shoh si domodoshmëri.
- Media i shikon pak me paragjykim arritjet apo sukseset, i dramatizon më shumë seç duhet problemet dhe vështirësitë apo edhe gabimet.
- Kam dëgjuar analistët që thoshin se Merkel erdhi, nuk donte të takonte zotin Meta. E njëjta gjë ndodhi edhe kur ajo shkoi në Serbi. Provincializma të tilla në gazetari dhe në media duhet të marrin fund.