Gjykata penale e Tiranës pushoi sot çështjen penale të ngritur nga Agron Tufa ndaj Fatos Tarifës, Spartak Brahos, Sabit Brokajt, Arben Dukës, Shaqir Vikajt dhe gazetës Dita, të akuzuar prej tij për fyerje dhe shpifje.
Ky vendim u mor pasi avokati i Zotit Tufa nuk u paraqit në seancë.
Në prill 2019, ish-drejtori i ISKPK, Agron Tufa paditi për shpifje dhe fyerje deputetin Spartak Braho, ish-ministrin Sabit Brokaj dhe të tjerët, për të cilët tha se e kanë sulmuar, kërcënuar lincuar publikisht dhe intimiduar atë për 23 ditë me radhë përmes postimeve në gazetën Dita.
Ish-drejtori Tufa ka patur përplasje, sidomos me deputetët socialistë, ndërsa ka mbështetur padinë ndaj ish-komandantit të burgut të Qafë-Barit, Edmond Caja, i akuzuar për dhunë sistematike ndaj ish-të burgosurve.
Tufa ka marrë disa kërcënime për jetën për shkak të punës së tij që përfshin hetimin, studimin dhe publikimin e informacioneve mbi ekzekutimet jo gjyqësore të kryera nga forcat komuniste. Puna e tij ka shkaktuar zemërim tek Partia Socialiste, veçanërisht tek deputeti Spartak Braho i cili ishte anëtar i sistemit gjyqësor gjatë diktaturës komuniste.
Së fundmi, ai kërkoi azil në Zvicër për veten, gruan dhe pesë fëmijët e tij.