Terraoil Swiss përgënjeshtron artikullin e BIRN për lidhje me kompaninë ruse

Terraoil Swiss përgënjeshtron artikullin e BIRN për lidhje me kompaninë ruse

Kompania sviceriane Terraoil Swiss ka sjellë një sqarim në redaksinë e Exit News, pas botimit nga ana jonë të artikullit të botuar nga Reporter.al, “Marrëveshja e dyshimtë; nafta e Visokës iu transferua kompanisë serbe me pronar rus”.

Në përgënjeshtirmin e saj, kompania Terraoil Swiss sqaron se “shkrimi i BIRN-Albania (Reporter.al) është një operacion i bazuar mbi mashtrim dhe spekulim, me qëllim dëmtimin e imazhit dhe prestigjit të kompanisë, si dhe një përpjekje diversive për të ndikuar mbi vendimin e gjykatave përsa më lart”. Më tej kompania sviceriane sqaron se:

1— Marrëveshja mes Terraoil Swiss dhe GTK OIL është lidhur më 1.12.2018 dhe për shkak të mospërmbushjes së saj nga pala nënkontrakotore, është zgjidhur më datë 1.06.2019.

Theksojmë se kjo Marrëveshje fatkeqësisht nuk arriti te bëhet asnjëhere efektive pasi nënkontraktori GTK Oil nuk mundi gjatë periudhës dy-mujore te testit të na bindte për një performancë të qëndrueshme teknike dhe për pasojë efektet ekonomiko-financiare të kësaj Marrëveshje mbetën në nivelin zero.

Kjo do të thotë se në momentin e botimit të shkrimit dhe tymnajës së ngritur prej tij marrëveshja nuk ekziston, çka i bën shumë të dyshimta qëllimet e vërteta të artikullit të botuar nga BIRN.

2— Pretendimi se“Terraoil Swiss” ka transferuar të drejtat hidrokarbure, është i pavërtetë sepse të drejtat hidrokarbure transferohen vetëm me pëlqimin e palëve, respektivisht të Terraoil Swiss, Albpetrolit dhe AKBN-së, si dhe me miratimin përfundimtar të MIE si autoriteti shtetëror më i lartë. Ky fakt nuk ka ndodhur dhe për rrjedhojë nuk ekziston.

BIRN, në artikullin e tij shkruan se “Terraoil Swiss ka marrë përsipër të transferojë të gjitha të dhënat për vendburimin pa marrë parasysh parashikimet e nenit 23 të Marrëveshjes Hidrokarbure që lidhet me detyrimin e palëve për mbajtjen e të dhënave të përftuara konfidenciale dhe për të mos i shpërndarë ato pa miratimin e Albpetrolit.”

Në të vërtete, në bazë të Marrëveshjes Hidrokarbure, koncensionari ka plotësisht të drejtë të ekspozojë të dhëna tregtare konfidenciale tek nënkontraktorët e vet, pa kërkuar miratimin e Albpetrol apo ndonjë institucioni tjetër. (Neni 23.2 i Marrëveshjes Hidrokarbure)

Për pasojë BIRN (Reporter.al) ka shtrembëruar e keqinterpretuar qëllimisht termat e kontratave me qëllim ngatarrimin e publikun dhe dëmtimin e imazhit, besueshmërisë dhe interesave të kompanisë Terraoil Swiss.

4 — Birn shkruan se “marrëveshja mes dy kompanive ngre gjithashtu shqetësime për cenim të sigurisë kombëtare”. Në lidhje me këtë pretendim kompania sqaron:

Së pari, kompania GTK-Oil, është e regjistruar në QKB sipas legjislacionit në fuqi dhe nuk figuron e pezulluar, e përjashtuar apo e konfiskuar, në asnjë institucion ligjzbatues shqiptar apo të huaj.

Së dyti, nuk është detyra e kompanive koncensionare të verifikojnë nënkontraktorët që operojnë në tregun shqiptar sipas ligjeve në fuqi, në lidhje me aspekte që janë tagër i institucioneve të inteligjencës dhe sigurisë, përsa kohë ndaj tyre nuk ka një masë shtrënguese.

Në të kaluarën dhe në vijëmësi kompania “Terraoil Swiss”, ka pasur marrëdhënie të drejta me institucionet ligjzbatuese shqiptare.

Së treti, legjislacioni për sekretin shtetëror, klasifikimin e tij dhe personave të autorizuar për njohjen apo përdorimin e tij, nuk ka asnjë parashikim që t’i përgjigjet pretendimit në fjalë. Në të kundërt, nëse ky fakt do të ekzistonte, marrëveshjet hidrokarbure dhe çdo aspekt tjetër i lidhur me to do të duhej të trajtohej sipas këtij legjislacioni.

Kjo do të thotë se të gjithë personat që do të kishin lidhje pune për shkak të përgjegjësive institucionale, apo ato tregtare do të duhej të ishin të vetuar nga DSIK dhe të pajisur me certifikatat përkatëse të sigurisë, fakt i cili nuk ekziston.

Sipas kesaj llogjike, të përdorur nga artikullshkruesi, ky i fundit nuk do të kishte mundësinë të kërkonte asnjë informacion mbi marrëveshjet dhe operacionet hidrokarbure pa qenë i pajisur më parë me një certifikatë sigurie. Kjo llogjike do të vlente dhe për këdo zyrtar të ALBPETROL apo AKBN, sikurse edhe për ish drejtuesit e përmendur në shkrim.

Përgënjeshtimit të kompanisë ju përgjigjë  Reporter.al duke thënë se “BIRN Albania i qëndron fakteve të botuara në investigimin e saj dhe nënvizon se qëllimi i saj i vetëm ka qenë, është dhe vazhdon të jetë mbrojta e interesit publik dhe informimi i tij”.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>