Policia ka arrestuar sot Vladimir Gjutën, të armatosur, pranë selisë së Partisë Socialiste.
Ai është pikasur nga punonjësit e Gardës së Republikës që ndodheshin pranë selisë së PS-së. Pasi kanë filluar ta ndjekin, Gjutës i ka rënë nga brezi një pistoletë e mbushur me fishekë.
Sipas policisë, Gjutës i është gjetur një shumë prej 120 mijë eurosh me vete.
Ai është shoqëruar në komisariatin nr.3, ku dhe kanë nisur procedurat për veprën penale të armëmbajtje pa leje.
Vladimir Gjuta është figurë e njohur për policinë. Ai u lirua nga paraburgimi 5 ditë më parë, më 5 shkurt.
Ai ishte arrestuar sepse kishte plagosur kushëririn e tij. Në vendimet e mëparshme për Gjutën, gjykata e Tiranës ka rekomanduar mjekim të detyruar në psikiatri.
Në vitin 2015, Gjuta ishte një prej të dyshuarve kryesorë të për vendosjen e një sasie të madhe tritoli në farmacinë e babait të ministrit Tahiri dhe në një stacion autobuzi afër shkollës “Vasil Shanto”.