Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i bëri sot thirrje qytetarëve të mos alarmohen dhe të dëgjojnë e zbatojnë këshillat e mjekësve.
Në një konferencë për shtyp, Basha i kërkoi dhe mjekëve që të sqarojnë dhe informojnë sa më shumë qytetarët në këto momente delikate:
“Qeveritë shkojnë e vijnë, ata që do të mbeten jeni ju, keni në dorë jetën e qytetarëve.
Kemi një nga stafet më të mira, sot duhet t’iu japim mjetet dhe fondet e nevojshme për të përballuar këtë situatë.
Sa më shumë të flisni ju sot, aq më të qetë do të jenë qytetarët. Sot duhet të jemi të përgjegjshëm për çdo veprim.”
Basha i kërkoi shqiptarëve që kthehen në vend nga shtetet e prekura që të ndërgjegjohen dhe të vetëizolohen për 14 ditë, për të mos rrezikuar të afërmit.
Ai siguroi qytetarët se opozita do të jetë në terren për të parë nga afër dhe për të monitoruar masat e marra nga qeveria. PD prezantoi 11 masa që qeveria duhet të marrë për të përballuar situatën.