Përhapja e koronavirusit në Shqipëri: disa statistika dhe analiza bazë

Nga Exit News
Përhapja e koronavirusit në Shqipëri: disa statistika dhe analiza bazë

Një javë pas të infektuarit të parë nga koronavirusi në Shqipëri janë diagnostikuar edhe 50 persona të tjerë, duke nxitur masa shtrënguese nga qeveria për të parandaluar përhapjen.

Deri më tani Covid-19 është përhapur në 6 qytete: Tiranë (34 të infektuar), Fier (6 të infektuar), Durrës (5 të infektuar), Elbasan (2 të infektuar), Rrogozhinë (2 të infektuar) dhe Lushnjë (2 të infektuar).

Mjekët janë përpjekur të bëjnë maksimumin duke rrezikuar infektimin – 7 mjekë janë infektuar deri më sot.

Por si paraqitet situata në shifra, apo statistika dhe sa rrezikojmë prej koronavirusit? Exit News shpjegon.

Më pak se 10 për qind e personave të testuar kanë rezultuar me koronavirus

Prej 12 shkurtit deri të hënën më 16 mars janë testuar  563 persona dhe 51 prej tyre janë diagnostikuar Covid-19—pra, vetëm 9,06 për qind e njerëzve të dyshuar kanë dalë me infeksion.

Më pak se gjysma e të infektuarve janë shtruar në spital

Nga 51 të infektuar vetëm 21 prej tyre janë shtruar në spital, 30 të tjerë nuk kanë pasur simptoma dhe janë izoluar në shtëpi—41,1 për qind e të infektuarve kanë nevojë për trajtim të specializuar mjekësor.

Më pak se 2 për qind e të infektuarve vdesin

Nga 51 të infektuarit, vetëm 1 ka vdekur – një grua 73 vjeçare nga Durrësi—mund të thuhet se vdekshmëria deri tani është 1,96 për qind (edhe pse është herët për këtë të dhënë pasi numri i të infektuarve është ende i ulët për të nxjerrë përfundime statistikore0.

Megjithatë në krahasim me vendet e tjera ku vdekshmëria luhatet nga 0,8 për qind deri në rreth 7 për qind – Italia ka vdekshmërinë më të lartë në botë – ky nivel vdekshmërie është relativisht i ulët.

Përse kërkohen masa emergjente?

Statistikat e mësipërme duken të ulët, por le të analizojmë.

Infeksioni i Covid-19 jep më tepër ndërlikime te të moshuarit dhe ata që vuajnë nga sëmundje të tjera kronike. Infeksioni kërkon relativisht 1 deri në 14 ditë kohë që të shfaqë simptoma.

Projeksionet e popullsisë së INSTAT-it tregojnë se Shqipëria ka rreth 15 për qind të popullsisë në moshën mbi 65 vjeç – ose rreth 436 mijë nga 2,8 milionë banorët e vendit.

Nëse infeksioni përhapet më tepër se 10 për qind të popullatës, atëherë nga grupmosha mbi 65-vjeç, rrezikojnë të infektohen rreth 43 667 persona.

Nga këta—nëse me 41,1 për qind, sa është përqindja e tanishme, do të kërkojnë shtrim në spital, atëhere 17 747 persona vetëm nga kjo grupmoshë do të kenë nevojë për kujdes të specializuar mjekësor.

Duke pasur parasysh shkallën e lartë ngjitëse të infeksionit Covid-19 dhe sëmundshmërinë në vetëm 14 ditë, shifra prej rreth 18 mijë pacientësh do të ishte e papërballueshme për sistemin tonë shëndetësor.

Prandaj kërkohet që të mbahet nën kontroll niveli i përhapjes së sëmundjes, në mënyrë që numri i atyre që do të kërkojnë kujdes shëndetësor të jetë i përballueshëm.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>