Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Ghebreyesus deklaroi sot se pandemia e koronavirusit po përhapet me një ritëm gjithnjë e më të shpejtë.
Në një konferencë për shtyp, në Zvicër, Ghebreyesus u shpreh se:
“[…] u desht 67 ditë që nga 1 rast i raportuar të bëheshin 100 mijë, 11 ditë për 100 mijë të tjera dhe tashmë 4 ditë për 100 mijëshen e tretë”.
Kreu i OBSH-së u kërkoi vendeve më të zhvilluara të botës që të angazhohen më shumë për të prodhuar materiale mbrojtëse.
“Na duhet përbashkim mes shteteve, shtetet e G20-ës kanë më shumë se 80 për qind të prodhimit botëror”
Javën e shkuar OBSH raportoi përfundimet e një studimi të ri, që trajtonte rastet e fëmijëve të infektuar me Covid-19 në Kinë në muajt janar-shkurt.
Studimi nxirrte në pah faktin se rreth 90 për qind e tyre ishin pa simptoma ose me gjendje të lehtë sëmundjeje.
Sidoqoftë në 6 për qind të rasteve fëmijët ishin sëmurë rëndë ose në gjendje kritike – krahasuar me 18.5 për qind të të rriturve.
Kjo e dhënë ka bërë që OBSH të këshillojë fort ruajtjen dhe edukimin e fëmijëve për të parandaluar infeksionin.
Prej fundit të vitit 2019 e deri më sot, në gjithë botën janë diagnostikuar me koronavirus mbi 350 mijë njerëz, 15 000 prej së cilave kanë vdekur.