Gjermania miratoi të hënën një paketë prej 750 miliardë eurosh që do të reduktojë efektet negative të pandemisë së koronavirusit në shtetin me ekonominë më të fuqishme të BE-së.
Paketa e miratuar nën moton “përdorim ç’të mundemi” cilësohet si “fondi i stabilitetit”dhe parashikon për herë të parë që prej vitit 2013 futjen e Gjermanisë në borxhe.
Ekspertët gjerman të ekonomisë kanë përllogaritur dëmet që do të pësonte ekonomia në rast të një bllokimi të pjesshëm prej pandemisë së koronavirusit.
Nëse bllokohet 2 puna e bizneseve totali i humbjeve mund të shkojë nga 255 deri në 495 miliardë euro dhe për 3 muaj, nga 354 deri në 729 miliardë euro.
Për këtë Gjermania ka bërë gati një fond të jashtëzakonshëm me buxhet fillestar 156 miliardë euro, që parashikon të ndihmojë situatën e epidemisë dhe ekonominë që në rastin më të keq, nëse prodhimi i brendshëm i Gjermanisë bie 5 për qind brenda këtij viti, të mos ketë efekte të parikuperueshme.
Më tej janë parashikuar rreth 200 miliardë euro të tjera për kreditimin e bizneseve. Pjesa tjetër prej rreth 400 miliardësh përllogaritet të sigurohet përmes borxheve dhe synon t’u vijë në ndihmë korporatave të mëdha që mund të rrezikojnë falimentimin.
Borxhi publik i Gjermanisë është aktualisht rreth 60 për qind. Autoritetet presin që prej koronavirusit të rrisin me të njëjtën mënyrë borxhin sikur u bë me krizën e rreth 12 viteve më parë.
Gjatë krizës së viteve 2008-09 borxhi publik i Gjermanisë u rrit me 18 për qind duke shkuar në 82 për qind në vitin 2010.