Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg njoftoi të premten zyrtarisht anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut.
Përmes një deklarate për shtyp ai vlerësoi arritjet e Maqedonisë së Veriut dhe u shpreh se ceremonia e ngritjes së flamurit në Bruksel do të mbahet më 30 mars.
Ministri i Jashtëm veriomaqedon Nikola Dimitrov përshëndeti vendimin dhe u shpreh se “pas 27 vitesh rrugëtimi i nisur në vitin 1993 përfundoi”.
Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut u përshëndet nga Sekretari i Shtetit të SHBA-ve, Mike Pompeo.
Në shkurt të vitit 2019 vendet anëtare të NATO-s nënshkruan protokollin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut, protokoll që duhet të ratifikohej nga 29 parlamentet kombëtare.
Vendi i parë që e ratifikoi, ishte Greqia, me të cilën Maqedonia e Veriut pati një konflikt të zgjatur për sa i përket çështjes së emrit. Ndërsa Shqipëria e ratifikoi më 14 shkurt.
Mes 30 vendeve anëtare tashmë bëjnë pjesë 3 shtete nga Ballkani Perëndimor – Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.