Britania e Madhe raportoi të mërkurën 563 viktima të tjera mes pacientëve me Covid-19 duke e çuar totalin në 2 352 të vdekur.
Në Britani viktimat e para me koronavirus u regjistruan më 14 mars. Që atëherë numri më i lartë i viktimave në 24 orë ka qenë 381 – raportuar të martën, me një rritje prej 47 për qind.
Të dhënat tregojnë se tashmë vdekshmëria ka shkuar në rreth 8 për qind dhe me një prirje për të tejkaluar edhe bilancin tragjik të Spanjës ku aktualisht ka mbi 9 mijë viktima dhe Covid-19 ka patur vdekshmëri 8.8 për qind të të infektuarve.
Qeveria britanike deklaroi se, si kurrë më parë, 4 324 persona ishin diagnostikuar me koronavirus në 24 orët e fundit duke e çuar totalin në 29 474 të infektuar.
Përballë kësaj situate, autoritetet kanë nisur testimin e 1.2 milionë punonjësve të sistemit të shëndetësisë, në mënyrë që të sigurohet që infeksioni të mos përhapet prej mjekëve te pacientët dhe nga ana tjetër mjekët e infektuar të izolohen.
Në gjithë botën raportohen rreth 880 000 persona të infektuar me koronavirus, prej të cilëve 44 000 kanë vdekur – vdekshmëria ka shkuar në 5 për qind.