Një nga shqetësimet kryesore gjatë krizës së koronavirusit është kufizimi i të drejtave njerëzore dhe kushtetuese, në mënyrë të veçantë niveli i kufizimit të këtyre të drejtave dhe autoriteti dhe mënyra e vendim-marrjes për kufizimin e tyre.
Duhet theksuar qartë në fillim se ne kemi të bëjmë me gjendjen e fatkeqësisë natyrore dhe jo me gjendje të jashtëzakonshme.
Gjendje e jashtëzakonshme është një rast ekstrem, e cila mund të shpallet vetëm nga Kuvendi dhe vetëm në rastet kur rrezikohet qartë rendi publik, rendi politik apo integriteti territorial i një vendi.
Gjatë gjendjes së jashtëzakonshme mbeten të paprekshme rreth 19 liritë themelore dhe të drejtat kushtetuese, përfshi lirinë e shprehjes, liritë politike, e drejta e pronës, të drejtat e një procesi të rregullt ligjor.
Mënyra e ushtrimit të pushtetit dhe kufizimit të të drejtave gjatë gjendjes së jashtëzakonshme është e përcaktuar shprehimisht në Kushtetutë, në një kapitull të posaçëm për masat e jashtëzakonshme.
Në kontrast të thellë me sa më sipër, gjendja e fatkeqësisë natyrore shpallet nga qeveria në rastet e fatkeqësive natyrore që rrezikojnë shëndetin dhe pasurinë e njerëzve, të tilla si tërmetet, përmbytjet, zjarret apo epidemitë.
Në këtë rast, liritë dhe të drejtat themelore kufizohen me vendim qeverie dhe kanë për qëllim shmangien, kufizimin apo kompensimin e dëmeve direkte apo indirekte të fatkeqësisë natyrore, dhe ato duhet të jenë në proporcion me këto dëme.
E drejta e qeverisë për të kufizuar liritë dhe të drejtat në rastin e fatkeqësive natyrore buron nga përcaktimet kushtetuese, Ligji për Mbrojtjen Civile dhe Ligji për Parandalimin dhe Luftimin e Infeksioneve dhe Sëmundjeve Infektive.
Masat kufizuese nën ligjin për parandalimin e sëmundjeve infektive mund të merren në çdo kohë nga Ministri i Shëndetësisë, ndërsa kufizimet nën ligjin për mbrojtjen civile mund të merren vetëm pas shpalljes me vendim qeverie të gjendjes së fatkeqësisë natyrore.
Çfarë të drejtash mund të kufizohen gjatë fatkeqësisë natyrore?
Neni 175 pika 2 e Kushtetutës përcakton se të drejtat dhe liritë që kufizohen gjatë gjendjes së fakeqësisë natyrore janë vetëm:
- Paprekshmëria e banesës dhe e personit;
- Liria e lëvizjes;
- Kufizimet në lidhje me shpronësimin dhe e drejta për shpërblim të drejtë;
- E drejta për punë;
- E drejta për grevë.
Kjo do të thotë që në gjendjen e tanishme qeveria ka të drejtë të urdhërojë karantinimin dhe izolimin e njerëzve, çfarë është detajuar në Ligjin për Parandalimin e Sëmundjeve Infektive; të kufizojë apo ndalojë levizjet e njerëzve, përfshi hyrjet dhe daljet në vend; të viziutojë dhe kontrollojë banesat dhe të kontrollojë individët që dyshohen se mund të jenë të infektuar; të ndalojë apo kufizojë aktivitete të caktuara biznesi apo të vendosë standarde të caktuara për operimin e tyre; të shpronësojë prona, si për shembull pasuri të patundshme apo aktivitete sipërmarrëse, të cilat mund të përdoren për të rritur kapacitet shëndetësore të trajtimit të të sëmurëve; të urdhërojë privatët të punojnë për prodhimin e produkteve dhe shërbimeve të caktuara dhe përkundrejt shpërbilimi të ulët ose falas; të mos lejojë kundërshtimin e masve të mësipërme nga sindikatat.
Çfarë të drejtash nuk mund të kufizohen gjatë fatkeqësisë natyrore?
Gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore nuk mund të kufizohen liritë si ajo e shprehjes, e drejta e jetës, e drejta për informim, e drejta e fesë, e drejta për proces të rregullt ligjor, e drejta e pronës dhe të drejtat politike dhe sociale.
Në një artikull të mëparshëm, Exit argumentoi se akti normativ i qeverisë për të shtyrë pagesën e qirasë është i pavlefshëm dhe nuk mund të zbatohet. Kjo për dy arsye:
Së pari sepse Kushtetuta nuk lejon që qeveria të ndërhyjë në këto marrëdhënie private midis qytetarëve dhe aq më tepër ti kufizojë ato.
Së dyti se akti bie në kundërshtim me një vendim të Gjykatës Kushtetuese, e cila është shprehur se një ligj, miratimi i të cilit bëhet me tre të pestat e Kuvendit, nuk mund të ndryshohen me akte normative.