Tre mjekë të tjerë u diagnostikuan të dielën me Covid-19 në Maqedoninë e Veriut duke e çuar totalin në 52 punonjës shëndetësor të infektuar.
Mediat lokale raportuan se mjekët e diagnostikuar së fundmi janë nga Kumanova.
Njëri është mjek familje, çka i ka vënë në lëvizje autoritetet pasi nën gjendjen e jashtëzakonshme ai kishte kryer vizita në shtëpi të ndryshme.
Infektimi i stafit mjekësor ka sjellë probleme në Maqedoninë e Veriut.
Në komunën e Shtipit – 80 kilometra në lindje të Shkupit – 14 punonjës të repartit infektiv e morën infeksionin Covid-19 prej një pacienteje 80-vjeçare.
Gostivari mbylli spitalin pasi një prej mjekëve u diagnostikua me koronavirus dhe 8 kolegë të tij u vunë në karantinë.
Rasti i parë me koronavirus në Maqedoninë e Veriut u diagnostikua më 26 shkurt.
Një muaj më vonë autoritetet kanë diagnostikuar 555 persona të infektuar, prej të cilëve 23 janë shëruar dhe 18 kanë vdekur.