Dhjetra emigrantë shqiptarë të bllokuar në Kapshticë vazhdojnë të qëndrojnë aty që prej 3 prillit. Mbrëmjen e djeshme ata janë përplasur me policinë shqiptare, e cila nuk i lejon të hyjnë në shtetin shqiptar.
Policia këmbëngul që të mos i lejojë emigrantët të futen në Shqipëri, në zbatim të masave të qeverisë për të mbyllur kufijtë si masë kundër përhapjes së koronavirusit.
Vlen të theksohet se që prej 10 ditësh, qeveria ka mundësuar kthimin me avion të qindra shqiptarëve që ishin bllokuar në Gjermani, Francë, Zvicër, Kroaci, Itali etj. Të gjithë qytetarët e kthyer janë të detyruar të qëndrojnë në izolim në shtëpitë e tyre për të paktën 14 ditë.
Nuk është e qartë se përse e njëjta masë nuk mund të zbatohet dhe për emigrantët e bllokuar në Kapshticë.
Ata janë kthyer nga Greqia, pasi i ka mbaruar e drejta 30 ditore për të qëndruar, por dogana shqiptare nuk i lejon të futen në Shqipëri, megjithëse dogana greke i ka lejuar të kalojnë.
Prej 3 ditësh ata po qëndrojnë jashtë, në kushte të vështira atmosferike dhe pa ushqim.
Presidenti Meta dhe kryetari i opozitës Lulzim Basha i kanë kërkuar kryeministrit Rama të lejojë futjen në atdhe të emigrantëve, duke e quajtur braktisjen e tyre nga shteti “kriminale, çnjerëzore dhe të pafalshme.”