Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott i kërkoi politikanëve të Kosovës që të mos merren me konfliktet politike, pasi lufta më e rëndësishme tani është ajo kundër Covid-19.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Nicholas Abbott përshëndeti bashkëpunimes mes ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia dhe atij serb për Komunitetet dhe Kthimit Dalibor Jetviç, dhe mes kryetarëve të Mitrovicës së Jugut dhe Veriut Agim Bahtiri dhe Goran Rakiç:
“Në këto kohë të vështira, bashkëpunimi mes komuniteteve siç e pamë atë në mes të ministrit Arben Vitia dhe Dalibor Jevticit dhe në mes të kryetarit të Mitrovicës së Jugut Agim Bahtiri dhe atij të Veriut, Goran Rakic, është i mirëpritur dhe për t’u përshëndetur.
Siç ka thënë mbretëresha dje, nëse mbetemi të bashkuar dhe të vendosur, do të tejkalojmë këtë sëmundje. Nuk ka politikë me virusin. Populli i Kosovës nuk meriton më pak.”
Pas rënies së qeverisë Kurti, ende nuk ka një vendim nëse vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme apo do të formohet një qeveri e re.
Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar zgjedhje të reja dhe ka thënë se nuk do të dorëzojë një propozim të ri për kryeministër.
Ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës, aleatja në qeveri, ka njoftuar se mund të bëjë një koalicion me AAK-në e Ramush Haradinajt dhe me Nismën e Fatmir Limajt.
Më 4 prill, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi shtoi më shumë tensionet me palëve, duke kritikuar qeverinë në detyrë se ajo po tregohet e papërgjegjshme karshi situatës së krijuar me pandeminë e koronavirusit në veri të Kosovës.