Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) është tashmë i bindur: rreziku kryesor ekonomik i vendit janë konçesionet.
FMN publikoi, dy ditë më parë, raportin e rradhës mbi marrëveshjen me Shqipërinë.
Sikurse edhe në dy raportet e mëparshme, shqetësimi kryesor i raportit është mungesa e trasparencës qeveritare për konçesionet.
Sipas FMN-së, deri tani qeveria ka dhënë 55 konçesione që arrijnë në total një vlerë rreth 7 për qind të prodhimit vjetor të vendit.
FMN është e mendimit se proçedurat që përdor qeveria për konçesionet nuk kanë lidhje me praktikat ndërkombëtare. Edhe pse nuk flet haptazi për korrupsion e klientelizëm, duket se FMN ka dyshime serioze se praktikat shqiptare janë praktika klienteliste.
Të njejtin shqetësim për klientelizëm, FMN e ka edhe në fushën e politikave fiskale duke u shprehur kundër përjashtimeve preferenciale nga taksat.
FMN ka shprehur, gjithashtu, shqetësimin për borxhin e lartë publik të vendit; për rritjen ekonomike nën mundësitë e vendit; si dhe volumin ende të lartë të kredive me probleme, pavarësisht masave të marra nga Banka e Shqipërisë.
Rekomandimet kryesore të raporit janë:
- Duhet transparencë maksimale për konçesionet apo partneritetet publike private veçanërisht për kostot e tyre fiskale, detyrimet e kushtëzuara dhe kontratat e tyre.
- Qeveria duhet të ndjekë praktikat më të mira ndërkombëtare në hartimin e konçesioneve.
- Qeveria nuk duhet të bëjë zgjidhje të përkohshme fiskale, të përjashtojë nga taksat grupe të caktuara, apo të vendosë taksa preferenciale.
- Qeveria duhet të përmirësojë menaxhimin e financave publike me qëllim uljen e borxhit të lartë publik kërkon.
- Kreditë me probleme duhen mbajtur nën mbikqyrje, duhet të ristrukturohet borxhi dhe duhet të bëhet ekzekutimi i kolateralit.