Turizmi është sektori më i goditur nga epidemia e Covid-19 në Shqipëri, megjithatë në paketën e ndihmës financiare të marsit u la pas dore – personalisht mendoj se u harrua, duke mos patur lobimin e duhur nga përfaqësuesit e turizmit.
Vërtetë në Shqipëri turizmi është në hapat e parë, por motorrët sapo ishin ndezur.
Prej epidemisë shumëkush duket skeptik dhe pesimist, por mendoj se më shumë se më parë, kjo periudhë ka nevojë për opinione optimiste.
Nuk besoj se ky vit do të jetë më i mirë se viti që kaluam, por me masat e duhura mund të jetë një vit si viti 2018.
Sigurisht, gjatë kësaj epidemie çdo biznes është prekur dhe është dëmtuar, 95 për qind e tyre pa përjashtim, por turizmi është bllokuar më shumë, sepse nuk lejohet lëvizja, dhe mbi të gjitha, edhe kur të lejohet, hoteleria dhe agjencitë do të jenë të fundit që do të hapen, e akoma më tepër kufijtë do të hapen shumë më vonë.
Por pse duhet ndihmuar turizmi? Sepse investimi në turizëm është rritje e ekonomisë me të ardhura hyrëse.
Kur flasim për indurstrinë e incoming (me të ardhura hyrëse) është e ardhur që e merr Shqipëria nga jashtë dhe nuk është qarkullim i brendshëm.
Thënë pak më thjeshtë, nga të gjitha të ardhurat që merr Shqipëria nga eksporti i mallrave dhe shërbimeve, 46 për qind janë nga turizmi – turistë të huaj që vijnë edhe shpenzojnë në Shqipëri – ndaj është i rëndësishëm.
Organizata Botërore e Turizmit është shprehur që turizmi është sektori që është prekur më shumë dhe do të ketë 20-30 për qind rënie nga viti 2019.
Kjo deklaratë, për momentin që flasim, është pa e ditur se çfarë zhvillimi do të marrë pandemia e Covid-19, mbase mund të përshkallëzohet – nëse nuk merren masa.
Shqipëria ka arritur të marrë masa për Covid-19, por tashmë duhet të përgatitet të marrë masa ekonomike.
Nëse e ushqen një person me një peshk e ke ushqyer për një ditë, nëse e mëson të peshkojë, e ke ushqyer për tërë jetën.
Kjo duhet të jetë edhe filozofia e qeverisë për sektorin e turizmit, ta mbështesë që të mos kemi dëme të parikuperueshme.
Paga e luftës është një mekanizëm që e ushqen për një ditë, turizmi ka nevojë për masa të organizuara, që ta rizhvillojnë këtë industri gjatë këtij sezoni të vështirë.
1 – Të ngrihet grup pune vetëm për këtë industri, duke qenë me pjesëmarrës nga hoteleria, agjencitë turistike, operatorët turistikë, guidat, bujtinat, muzetë dhe të gjithë elementët e tjerë përfshirës të sektorit.
Do të sugjeroja fort, që të merren njerëz ekspertë dhe që merren me këtë punë dhe jo persona që nuk e kanë idenë se si funksionon turizmi në Shqipëri, apo që nuk kanë qenë kurrë të përfshirë.
Ky grup të hartojë planin e masave emergjente dhe mbështetëse që mund t’i kërkohet qeverisë.
Organizata Botërore e Turizmit ka dalë me një thirrje për angazhim, duke sugjeruar plan masash, ne duhet të bëjmë të njëjtën gjë.
2 – Të përcaktojë skenarët se si do të shkojë situata. Sigurisht që nuk është kaq e thjeshtë, por e sigurt është se lëvizja midis shteteve do të marrë pak më tepër kohë për t’u rikthyer siç ishte.
Kjo u duhet bërë e ditur të gjithë elementëve të turizmit bashkë me sugjerimet dhe mbështetjen, që sipërmarrësit të dijnë si të mbrohen.
Të mos harrojmë se turizmi në gjithë botën, 80 për qind i ka biznese të vogla dhe të mesme, në Shqipëri ndoshta është 90 për qind biznese të vogla, që nuk kanë mundësi të dijnë se si do të shkojë situata.
Janë të pafundme telefonatat nga agjenci turistike, guida, hotele, bujtina, që marr duke më shprehur shqetësimin, se si do të shkojë kjo punë, kur fare mirë mund të kishim një organizim dhe të gjithë të ishin të orientuar.
3 – Ka pafund agjenci që merren me udhëtime jashtë, të cilat kanë bllokuar garanci financiare për vitin 2020 dhe tashmë nuk munden t’i marrin mbrapsht.
Seanca mbështetëse nga ekspertë ligjorë për të mitiguar sa më shumë këtë çështje. Gjithashtu një mbështetje për kontratat me vizitorë të huaj që të mbrohen sa më mirë, sepse kompanitë e huaja që kanë kontrata me agjenci dhe hotele n Shqipëri po bëjnë gjithçka që të marrin garanci 100 për qind.
Kjo nuk kërkon as kohë të madhe për reagim e as para për shpenzim, por kursen shumë para dhe nuk bllokon shumë operatorë turistikë.
Për të gjitha kontratat që do të shtyhen për vitin tjetër, të përdoret garanci financiare nga qeveria dhe të jetë pa interes.
4 – Këtë vit turizmi të flasë shqip! Skenari më i mirë, nuk i hap kufijtë me SHBA-të dhe Evropën para fundit të qershorit, e thënë kjo, deri në shtator nuk presim turistë të huaj për këtë vit, veç ndonjë rasti sporadic, ngjan shumë keq, por nuk është aq rëndë në nivel makro.
Sipas Institutit të Statistikave, në vitin 2018 kemi patur rreth 6 milionë turistë, mesatarisht kanë kaluar 4.3 netë në Shqipëri dhe kanë shpenzuar 52 euro në ditë.
Gjithashtu kemi patur rreth 6 milionë shqiptarë që kanë udhëtuar jashtë me një mesatare 5.9 ditë dhe shpenzime rreth 46 euro.
Shënim: Shifrat janë statistikore sepse ne nuk kemi patur kurrësesi 6 milionë turistë dhe nuk kemi 6 milionë shqiptarë që kanë dalë jashtë shtetit, por rezultati që hyrjet me daljet janë të përafërta është i drejtë.
Pra këtë vit do të fokusohemi vetëm te tregu vendas, këtë vit do të flasim shqip. Të paktën der inga fundi i gushtit.
Për statistikë në Shqipëri ka rreth 100 mijë shtretër – duke përfshirë edhe bujtinat dhe akomodimet private – dhe sezoni në rastin më të mirë është 90 ditë.
Një turist mesatarisht kalon 5 ditë pushime. Pra janë 1,8 milionë turistë, që na duhen për të plotësuar ofertën e tregut.
Sigurisht që rreth 1,3 milionë janë shqiptarë që në një mënyrë ose në një tjetër bëjnë pushime në Shqipëri.
5 – Kosova flet shqip. Sido që të shkojë epidemia, mendoj se kufijtë me Kosovën duhet që të happen sa më shpejt.
Kosova me masat kundër Covid-19 është në hapat tona. Nga këtu do kenë mundësi që të lëvizin edhe rreth 500 mijë turistë, që do të mund të plotësojnë ofertën vendase – dhe e kundërta duke pasur parasysh që edhe Kosova të ketë të njëjtën qasje, sepse për shembull jam i sigurt që Mali i Zi po bën një plan të tillë dhe po mendon që Ulqini të jetë destinacion turistik për Kosovën.
Nëse qasja ndiqet nga të dyja palët ndër-shqiptare, do të ketë mundësi që edhe shtatori edhe tetori të ketë turistë.
6 – Një mekanizëm nga qeveria që të motivojë vendasit që të bëjnë pushime. Duket sikur do jetv shumë e vështirë që pas tërmetit të vitit të shkuar dhe epidemisë së këtij viti, të ketë shqiptarë që të kenë para menjë anë për të bërë pushime, e aq më tepër për t’u shkëputur nga puna – ku pjesa më e madhe e kompanive po ua quajnë ditë pushimi periudhën e kësaj epidemie.
Të merren masa që nga periudha 15 maj e deri më 15 tetor çdo person duhet të bëjë minimalisht 10 ditë pushime, nga këta të paktën 5 ditë duhet të jenë bashkë – rresht.
Shumë kush nga ne, jam i bindur, që ka mendime të ndryshme dhe opinione të ndryshme se si duhet të zgjidhet kjo situatë, ju lutem ndani mendimin tuaj për këtë çështje.
Mbi të gjitha, të gjithë duhet të mendojmë të qëndrojmë në shtëpi sot, që të udhëtojmë sërish nesër.
Ismail Hoxha është sipërmarrës prej më shumë se 10 vitesh në turizëm.