Si shumica e kishave në botë këtë Pashkë, Katedralja historike e Duomos në Milano, do të jetë e mbyllur për publikun për shkak të pandemisë koronavirus.
Katedralen boshe do ta mbushë vetëm zëri i këngëtarit të famshëm të operas Andrea Bocelli, në një koncert të veçantë pa audiencë, i cili do të transmetohet online.
Koncerti, i titulluar “Bocelli: Muzikë për shpresë”, do të transmetohet në kanalin YouTube të Bocellit në orën 19:00, më 12 prill, dhe njerëz anë e mbanë botës mund ta ndjekin atë.
Tenori italian do të shoqërohet vetëm nga instrumentisi i katedrales, Emanuele Vianelli. Dyshja do të performojë pjesë të shenjta si “Ave Maria” dhe “Sancta Maria”.
Giuseppe Sala, kryetari i bashkisë së Milanos, në një deklaratë për qytetarët u shpreh:
“Këtë vit, Pashka do të jetë shumë e ndryshme për të gjithë ne. Qetësia e gëzueshme që vjen zakonisht me këtë ditë, është prishur nga pandemia që ne po përjetojmë.
Jam i sigurt që zëri i jashtëzakonshëm i Bocellit do të jetë përqafimi që na mungon këto ditë, një përqafim i fortë, special, i aftë për të ngrohur zemra e Milanit, Italisë dhe botës.”
Andrea Bocelli nuk do të marrë asnjë pagesë për këtë concert. Përveç kësaj, fondacioni i muzikantit ka mbledhur më shumë se 140 mijë euro për spitalet në vendlindjen e tij në Itali, i cili është goditur fort nga pandemia e koronavirusit.
Bocelli tha pavarësisht besimit të njerëzve, ai shpreson që koncerti i së dielës do të sjellë së bashku “miliona duar të shtrënguara kudo në botë”.