Një 59 vjeçar me hemoragji cerebrale ka vdekur mbrëmë në spitalin e Shkodrës.
Ai ishte infektuar gjatë qendrimit në spital me covid-19, por Ministria e Shëndetësisë duke iu referuar mjekëve ka deklaruar se koronavirusi nuk ka luajtur rol në vdekjen e tij.
I sëmuri ka mbërritur në Spitalin e Shkodrës, para 5 ditëve në gjendje kome. Pacienti mendohet se është infektuar nga një infermiere, e diagnostikuar me koronavirus, 24 orët e fundit.
Shkodra është qyteti i dytë pas Tiranës më i prekur nga koronavirusi, me 70 të infektuar. Ata po mjekohen në spitalin e Infektivit në Tiranë, dhe vetëm një i sëmurë ndodhet në spitalin e Shkodrës.
Në vend ka 467 të infektuar, ndër to 23 të vdekur, 123 të shëruara dhe 73 të shtruar në spital.